Aktualitet Sezoni turistik, 6 lexues portabël pasaportash për policinë kufitare

Sezoni turistik, 6 lexues portabël pasaportash për policinë kufitare

108
SHPËRNDAJE

Për herë të parë Policia e Kufirit dhe Migracionit do të përdorë lexues portativë pasaportash në disa pika të kalimit kufitar. Gjashtë lexues të tillë iu dhuruan sot Policisë së Shtetit gjatë një takimi të mbajtur prej Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe Drejtores së Policisë së Kufirit dhe Migracionit Aida Hajnaj me Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri Ambasadori Bernd Borchardt.

“Lexuesit do të përdoren në pikat e kalimit kufitar ku kalojnë më shpesh autobusët. Përdorimi i tyre do të sigurojë hyrjen dhe daljen e ligjshme e gjithë udhëtarëve, si dhe kapjen e atyre që mund të jenë shpallur në kërkim nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare, duke shmangur në të njëjtën kohë krijimin e radhëve të gjata dhe duke përmirësuar shërbimin për qytetarët. Shpresojmë se dhurimi i sotëm do të çojë në përmirësim të shërbimeve për kufij të hapur por të sigurt,” tha ambasadori Borchardt.

Prej shumë vitesh Prezenca e OSBE-së bashkëpunon me Ministrinë e Brendshme dhe me Policinë e Shtetit për çështjet e sigurisë kufitare. Gjatë kësaj kohe, Prezenca i ka dhuruar Policisë së Kufirit dhe të Migracionit të gjithë sistemin e komunikimit radiofonik, si dhe disa automjete, pajisje kompjuterike, sisteme panelesh diellorë dhe lexues pasaportash, në kuadrin e përpjekjeve për të ndihmuar përmirësimin e sigurisë kufitare.

Lexuesit do të shpërndahen fillimisht në pikat e kalimit kufitar Morinë, Muriqan, Kakavijë e Kapshticë.

13 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)