Kryesoret Integrimi në BE, “De Telegraaf”: Holanda bllokon negociatat për Shqipërinë

Integrimi në BE, “De Telegraaf”: Holanda bllokon negociatat për Shqipërinë

462
SHPËRNDAJE

Holanda duket se nuk është ende e bindur për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Në një artikull të publikuar, gazeta holandeze “De Telegraaf” paralajmëron se vendi i tyre do votojë kundër në Bruksel më 28 dhe 29 qershor.

Artikulli me titull “Holanda bllokon pranimin e Shqipërisë në BE” thekson se shumica e partive të parlamentit holandez janë kundër hapjes së negociatave. Sipas saj, shkak për këtë janë bërë shqetësimet për krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Shumica e partive të parlamentit holandez e dërgon qeverinë e Holandës në Bruksel me mesazhin e qartë për të mos votuar pro hapjes së negociatave. Shqipëria, vendi ballkanik i goditur nga varfëria u bë kandidat për anëtarësim në BE disa vjet më parë me miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve. Komisioni Europian tani dëshiron të nisë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë. KE madje përmend një vit në të cilin anëtarësimi duhet të jetë një fakt 2025”, shkruan media holandeze.

“De Telegraaf” citon ministrin e Jashtëm holandez, i cili deklaron: ‘Ne kemi shqetësime serioze në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Ai shton se më shumë përparime duhet të bëhen në këto çështje.

Mirëpo, sipas gazetës holandeze qeveria ende nuk e ka mbyllur përfundimisht derën për Shqipërinë. Deputeti i CDA (Kristian Demokratëve) Van Helvert është i vetëdijshëm për ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor, por kjo sipas tij nuk është arsye pazar.

“Nuk janë kritere për të bërë pazar për anëtarësimet. Për sa i përket reformës në gjyqësor nga 800 gjyqtarë vetëm dhjetë janë testuar. Atëherë nuk mund të thuash: vendi është gati për negociata për anëtarësim” tha ai. Në Holandë vetëm progresistët e ‘D66’ janë pro hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë. “Negociatat nuk do të thotë se ata mund të bashkohen tani me ne”, tha deputeti Verhoeven i D66.

21 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)