Sport Botërori 2018 Serbia protestë në FIFA për arbitrin Brych dhe shqiponjën

Serbia protestë në FIFA për arbitrin Brych dhe shqiponjën

873
SHPËRNDAJE

Federata Serbe e Futbollit ka paraqitur një ankimin në FIFA për arbitrin gjerman, Felix Brych, por edhe për futbollistët me origjinë shqiptare të Zvicrës që festuan me simbolet kombëtare.

Me anë të kësaj ankese, serbët protestojnë veçanërisht për një 11-metërsh, sipas tyre, të padhënë, pas një ndërhyrjeje të dy lojtarëve të Zvicrës ndaj sulmuesit Mitrovic. Arbitri, argumenton federata serbe, jo vetëm që nuk vërshëlleu për ndërhyrje të gabuar ndaj Mitrovic, por nuk denjoi as të konsultohej me sistemin VAR, sikurse ka vepruar edhe në takime të tjera, kur ka patur raste të dyshimta të rëndësishme.

Gjithashtu federata serbe është ankuar edhe për sjelljen e futbollistëve të Zvicrës, Xhaka dhe Shaqiri, duke festuar me shqiponjën dykrenare, simbol të të ashtuquajturës “Shqipërisë së Madhe”,  një projekt të cilin Serbia e denoncon në vazhdimësi (dëshirën e të gjithë popullit shqiptar në vendet ballkanike për një shtet të madh). Serbia ka protestuar edhe për faktin që në njërën prej këpucëve të Shaqirit ishte flamuri i Kosovës.

23 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)