Kulturë Neritan Liçaj: Beteja për Teatrin do bëhet ndërkombëtare

Neritan Liçaj: Beteja për Teatrin do bëhet ndërkombëtare

134
SHPËRNDAJE

Aleanca për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar përmes një deklarate për shtyp nga aktori Neritan Licaj e quan krim parlamentar votimin në masë nga kuvendi i Shqipërisë për shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Ne, kemi ndjekur me vëmëndje procedurën e ndjekur nga maxhoranca parlamentare në lidhje me aprovimin e anti ligjit që flet për prishjen në mënyrë arbitrare të Teatrit Kombëtar. Ne dënojmë dhe denoncojmë fort këtë krim parlamentar që është kryer në kurriz të vlerave kulturore dhe kombëtare të shqiptarve.

Ritheksojmë që qëllimi i atij ligji nuk është kurrsesi përmirësimi i imazhit dhe kushteve ku luhet teatri kombëtar shqiptar, pasi kjo klase politike me mosveprimin e saj të qëllimshëm degraduan atë godinë, por aferat e dyshimta ndërtimore që fshihen mbrapa tij. Përballë këtij votimi antikultur dhe antikombëtar ne i bëjmë thirrje edhe Opozitës shqiptare që të distancohet qartazi nga ky Parlament që vetëm i shqiptarve nuk është.

Veprimet e kësaj Opozite të jenë realisht në nder të saj dhe shqiptarve që ajo përfaqëson. Vijueshmëria e punës së saj në atë lloj parlamenti antikombëtar në çfarë do lloj komisioni ose procedure, do të kompromentojne deklaratat e saj në përkrahje të kauzës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Ne do vazhdojmë sensibilizimin për betejën tonë si me fakorin ndërkombëtar por edhe me atë vendas. Teatri nuk preket, historia nuk preket, seicilit të shkruajë historinë e tij, por jo mbi varrin e vlerave tona kombëtare”, thuhet në deklaratën e Licajt.

10 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)