Ekonomi Treni i ri në linjën Tiranë-Durrës, ministria zbulon çmimin e biletës

Treni i ri në linjën Tiranë-Durrës, ministria zbulon çmimin e biletës

2986
SHPËRNDAJE

Një linjë e re hekurudhore Durrës-Rinas-Tiranë do të ndërtohet nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me Fondin e Investimeve të BE dhe puna për këtë investim madhor do të nisë në fund të këtij viti dhe vepra do të ketë përfunduar brenda 2020-s.

Lidhur me projektin ka folur edhe zv. ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, i cili gjatë diskutimit të projektligjit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, mbi grantin 35.4 mln euro të përcaktuar për investimin, deklaroi se çmimi i biletës së udhëtimit në këtë linjë hekurudhore do të variojë midis 1-1.2 euro.

“Ndodh që bileta, pavarësisht se nuk është përcaktuar, është shumë e saktë në përgatitjen e fizibilitetit të lëvizjes së njerëzve, do luhatet midis 1 euro dhe 1.2 pak a shumë. Pse nuk është përcaktuar kaq saktë nga ne është fakti që i përgjigjet dhe pyetjes tjetër që operatorët do të jenë të hapur, pra do të jenë operatorë publikë, mund të jenë edhe operatorë privatë, sikurse ekziston edhe mundësia e kombinimit të operatorëve”, tha Shkreli.

Autoritetet parashikojnë që fluksi i kalimeve përmes kësaj linje 34 kilometra të gjatë të arrijë në 500 mijë persona në muaj. Kosto totale e projektit kap vlerën e 90 mln euro, nga të cilat  16 milion euro do të financohen nga buxheti i shtetit, 36 mln euro hua e Bankës Botërore dhe 35.4 mln euro granti i BE-së.

“Deri vitin tjetër, pra bëhet fjalë për 24 muaj, është plotësisht e realizueshme sepse bëhet fjalë për rehabilitim. Ne mendojmë që do arrijmë ta realizojmë këtë datë , e vetmja gjë që mund të ketë pikëpyetje do të jetë trakti i ri i cili do të shkojë deri në Rinas”, theksoi Shkreli.

Shkreli gjithashtu  tha se treni nuk do jetë elektrik, por do të punojë me naftë, pasi për lokomotivën elektrike kërkohen edhe 10-12 mln euro shtesë.

10 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)