Kryesoret Qeveri me bazë të gjerë? LSI njëjtë si PD, rendit 7 arsye...

Qeveri me bazë të gjerë? LSI njëjtë si PD, rendit 7 arsye pse nevojitet

371
SHPËRNDAJE

Debati i tensionuar politik dhe përballja me 12 muaj të vështirë ku Shqipëria ka për të detyrë të bindë BE-në se është gati të nisë negociatat në qershor, ishin ndër arsyet që deputeti demokrat Tritan Shehu renditi disa ditë më parë kur argumentoi edhe idenë e tij për një qeveri me bazë të gjerë.

Për Shehun një lëvizje e tillë do të ishte shpëtimtare për vendin, dhe duket se edhe për forcën etjetër opozitare të LSI-së, një skenar i tillë mund të jetë i realizueshëm. Pas Shehut, sot thirrjen për qeveria me bzë të gjerë e ka bërë edhe  deputet i LSI-së, Shezai Rrokaj, i cili rendit edhe 7 aryse përse mund të arrijmë te kjo alternativë.

“Ja pse duhet një Qeveri Stabiliteti me bazë të gjerë. Reforma në drejtësi ka paralizuar disa institucione kushtetuese dhe po jep shenja të dukshme njëanshmërie. Së dyti, mosndëshkimi i peshqve të mëdhenj që nga ministrat e deri te bosët e drogës, si rasti i Maminasit e i Toyota yaris-is . Së treti, varfëria ekstreme, ku rreth 50% e popullsisë jetojnë me nën 5$ për frymë në ditë si dhe rritja e pabarazisë sociale”, shkruan Rrokaj në Facebook.

Ai vazhdon më tej duke vendosur theksin tek “mungesa e investimeve të huaja serioze dhe tendenca në rritje e biznesit vendas për të investuar jashtë”, si një problem madhor i ekonomisë shqiptare që kushtëzon një format të tillë qeverisës.

Edhe “përqendrimi i parasë publike te një grusht oligarkësh, duke deformuar rregullat e konkurrencës me skema e dyshimta si ajo e PPP-ve”, është për  Rrokajn një arsye bindëse për ta çuar vendin drejt qeverisjes me bazë të gjerë.

“Së gjashti, braktisja e vendit sidomos prej popullsisë aktive për shkak të papunësisë, rrogave të ulëta, rritjes së taksave dhe dëshpërimit që ka shpënë në mungesën e besimit.  Së shtati, mungesa e dialogut politik prej arrogancës së mazhorancës dhe kontrolli i mediave nëpërmjet kapjes a presionit të saj mbi to. Në këto kushte zgjedhjet vendore janë të pamundura”, thekson Rrokaj.

Ai thotë se “përgjegjësia kombëtare duhet të prevalojë mbi egoizmin politik partiak dhe se pa humbur kohë është e nevojshme krijimi i një Qeverie të Stabilitetit”.

“Do të kishte për mision të përmirësonte ndjeshëm treguesit e mësipërm, do të përgatiste zgjedhje të pakontestuara, ku zgjedhjet vendore të bëheshin njëkohësisht me ato politike si dhe do të krijonte kushte reale të besueshme për çeljen e negociatave”, përfundon Rrokaj arsyetimin e tij.

11 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)