Kulturë “Skëndërbeu” i Plasarit nominohet për çmimin e Akademisë së Shkencave

“Skëndërbeu” i Plasarit nominohet për çmimin e Akademisë së Shkencave

128
SHPËRNDAJE

Skëndërbeu, një histori politike, një nga veprat më të mira të shkruara për figurën tonë historike nga Aurel Plasari është nominuar për çmimin e madh që Akademia e Shkencave ndan me rastin e 550-vjetorit të Gjergj Kastriot Skëndërbeut. Bashkë me këtë vepër janë nominuar e disa vepra të tjera. Më datën 30 Qershor 2018, juria realizoi mbledhjen e saj të dytë, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave.

Pas diskutimeve, u vendos me votim, që të nominojë si më poshtë (renditja e të nominuarve është në rend alfabetik): a. Për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare shkruar nga autorë shqiptarë. – Aurel Plasari, për veprën “Skënderbeu – një histori politike”, Tiranë, 2010; – Kasem Biçoku, për veprën “Toponimet mesjetare për studimin e historisë së Skënderbeut”; – Petrika Thëngjilli, për veprën “Skënderbeu: arritje, mangësi, pikëpamje të ndryshme”, Prishtinë, 2012.

Për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare shkruar nga autorë të huaj, shqip, ose në gjuhë tjetër: – Jose Manuel Floristan, “Marrëdhëniet mes Mbretërisë së Napolit me Shqipërinë”, seri studimesh botuar në revistën shkencore “Erytheia”, me mbi 25 artikuj shkencore në 1990-2017. – Lucia Nadin me veprën “Shqipiria e rigjetur”, Onufri, 2012; – Oliver Schmitt me veprën “Shqipëria Venedikase”, K&B, 2007, sjellë në shqip nga Ardian Klosi. c.

Për realizimin më të mire në fushën e bukinistikës e të botimeve anastatike të dorëshkrimeve të rralla, Juria, pasi shqyrtoi botimet e paraqitura vlerësoi dhe konkludoi qe prurjet nuk përmbushin kriteret e përcaktuara, dhe për këtë arsye nuk do të ketë asnjë nominim. “Vendimi për të zhvilluar disa aktivitete shkencore në 550-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, u shpall nga Akademia që në nëntor të vitit 2017, dhe ky konkurs ishte vetëm një prej aktiviteteve të parashikuara. Aktiviteti i parë i planifikuar ishte zhvillimi i një Konferencë Ndërkombëtare.

Kjo Konferencë, me Vendim të Qeverisë, u konceptua si një Konferencë ndërshtetërore, ndërinstitucionale, ku Akademia është bashkëorganizatore”, u shpreh Floresha Dado. Ky konkurs do të ketë e çmime të veçanta si dhe botimin e një vëllimi të posaçëm kushtuar Skënderbeut, ku janë ftuar të kontribuojnë, personalitete të shquara të shkencave albanologjike, me temë Skënderbeun dhe epokën e tij. Aktiviteti i katërt është promovimi i dhjetë vëllimeve të akad. Kristo Frashërit. Janë botime me përmbledhje dokumentash, mbledhur dhe përkthyer nga gjuhë lindore e perëndimore, që përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme për të gjithë historianët.

Juria bëri një mbledhje të parë në muajin prill, në të cilën u diskutuan dhe u vendosën kriteret mbi bazën e të cilave do gjykohet për vlerën e secilës vepër të paraqitur në konkurs. Me angazhimin e anëtarëve të jurisë, u identifikuan botimet e realizuara, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në këto dy dekada të fundit me subjekt jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit dhe epopenë e lavdishme të popullit shqiptar në shek. XV.

Ndërkohë u ftuan institucionet kërkimore-shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe autorë të interesuar për të paraqitur në konkurrim vepra të realizuara e që përputhen me kërkesat e konkursit. “Ishte një befasi pozitive, që u krijua një masë e konsiderueshme botimesh, e cila e angazhoi jo pak jurinë që të dalë në vlerësime të bazuara për çdonjërën nga veprat e përzgjedhura e të paraqitura për konkurrim”, u shpreh Pëllumb Xhufi.

11 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)