Aktualitet 613 kg kokainë në Durrës. Sekuestrohen llogaritë bankare të dy kompanive

613 kg kokainë në Durrës. Sekuestrohen llogaritë bankare të dy kompanive

340
SHPËRNDAJE

Ekstradimi i Arbër Çekaj nga Gjermania nuk është realizuar ende, por çështja e 613 kg kokainë të sekuestruar në portin e Durrësit vijon të mbetet e nxehtë.

Në burg qëndrojnë menaxheri dhe shoferi i kompanisë “Arbri Garden” shpk, por prokuroria ka hedhur një hap tjetër në kuadër të hetimeve për të zbuluar porositësit e ngarkesës me kokainë, duke vendosur sekuestron për llogaritë bankare të personave të përfshirë nga Task Forca Speciale.

Vetë Policia e Shtetit njofton vendosjen e kësaj mase sigurie në kuadër të opracionit “Forca e Ligjit”.

“Në vijim të hetimeve për asetet me burim kriminal, pas operacionit “Last Snoë” ku u sekuestruan 613 kg kokainë në Portin e Durrësit disa muaj më parë, Task Forca Speciale bëri sekuestrimin e llogarive bankare në emër dhe për llogari të subjekteve “Arbri Garden” shpk dhe “Ecoalmax” shpk.  Vlera totale e sekuestruar është rreth 38 mijë dollarë dhe mbi 10 milion lekë (të reja), që dyshohen si të përfituara nga aktiviteti kriminal i shtetasve të ndaluar nga Policia”, thuhet në njoftimin e uniformave blu.

Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, po vijon hetimet intensive për këtë grup të dyshuar që operonte në fushën e trafikimit të drogave të forta.

12 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)