Politikë Kontratë e re lobimi, Basha: Strategji për çmontimin e shtetit kriminal

Kontratë e re lobimi, Basha: Strategji për çmontimin e shtetit kriminal

192
SHPËRNDAJE

Muajin e kaluar Partia Demokratike nënshkroi një marrëveshje të re lobimi me një firmë amerikane për një shumë prej 40 mijë dollarësh. I pyetur ga VOA se për çfarë i duhet partisë së tij lobimi në Uashington, kryedemokrati Lulzim Basha tha se problemet kryesore me të cilat përballet Shqipëria kanë nevojë për një ekspozim të plotë dhe të gjithanshëm.

“Kemi kërkuar ndihmën e një kompanie, e cila është e specializuar në veçanti sa i përket krimit të organizuar, narkotikëve dhe terrorizmit. Pikërisht ky është edhe qëllimi i kësaj kontrate: hartimi i një strategjie kundër krimit të organizuar dhe kundër trafikut të drogës, e cila do të bëjë pjesë në planin, programin dhe vizionin e Partisë Demokratike, së bashku me komponentin ekonomik, të cilin e kemi mbaruar tashmë me partnerët tanë gjermanë, me anë të cilave do t’u ofrojmë shqiptarëve vizionin tonë për të çmontuar kapjen e shtetit nga interesat kriminale, kapjen e shtetit nga interesat e rrjeteve kriminale të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave”, deklaroi Basha.

Lidhur me kontratën e mëparshme të lobimit me firmën “Muzin Capitol Partners”, e cila ngjalli mjaft debate për shumë 500 mijë dollarë dhe financimin e mundshëm rus, Basha tha se Partia Demokratike ka bërë atë kontratë që ka bërë dhe e ka publike, si çdo pagesë prej saj, ndërsa akuzoi PS për mungesë transparence me shumat që shpenzon për llobim.

“Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj, nuk ka asnjë para të pistë në këtë mes, ndryshe nga afera e famshme e thyerjes së ligjeve amerikane me foton me Obamën dhe me burimet e panjohura të parave, që paguan për këtë të tjerët. Partia Demokratike është tërësisht transparente, krejtësisht e hapur, kështu që kjo nuk është çështje”, tha Basha.

12 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)