Botë Plani Brexit i Theresa May, BE: Rrezik konflikti, po shkelni “vijën e...

Plani Brexit i Theresa May, BE: Rrezik konflikti, po shkelni “vijën e kuqe”

370
SHPËRNDAJE

Kryenegociatori i BE-së për Brexit ka paralajmëruar me një mesazh të koduar konfliktin që do të pasojë publikimin e letrës së bardhë, ose planit të kryeministres Theresa May për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga unioni. Sipas BE, Theresa May po rrezikon të shkelë “vijat e kuqe” me planin e saj të shumëpritur Brexit.

Michel Barnier, tha se ai do të analizonte propozimet e Mbretërisë së Bashkuar me vendet anëtare të BE dhe Parlamentin Evropian “në dritën e udhëzimeve” të hartuara nga krerët e BE. Kjo referencë ndaj udhëzimeve ishte një hije e rëndë e konfliktit që do të vijë në negociatat e Brexit.

Udhëzimet e Këshillit Europian përcaktojnë vijat e kuqe të BE-së, duke përfshirë këmbënguljen që Britania e Madhe nuk mund të përfitojë nga “kafshimi i qershisë” të pjesëve të saj të preferuara të rregullores së BE.

Në një mesazh të cilësuar të tmerrshëm nga mediat britanike, Barnier tha se BE i kishte ofruar Mbretërisë së Bashkuar një marrëveshje “ambicioze” të tregtisë së lirë dhe bashkëpunim në një gamë të gjerë çështjesh, duke përfshirë një “partneritet të fortë të sigurisë”.

Diplomatët e BE-së tashmë kishin paralajmëruar se propozimet e letrës së bardhë ndoshta nuk do të ishin mjaftueshëm të mira. Propozimi i Britanisë së Madhe për të krijuar një treg të vetëm mallrash ka të ngjarë të përballet me rezistencën përballë kërkesës së gjatë të BE-së që të mos ketë zgjerim të tregut të brendshëm dhe as ndarjen e “katër lirive” të saj – mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit.

“Nëse e lejojmë këtë fleksibilitet në tregun e vetëm, ndërtesa e tërë mund të shkërmoqet”, i tha The Guardian një burim i BE.

Propozimet britanike për doganat, të cilat janë komplekse dhe të paprovuara, gjithashtu ka gjasa të ndeshen me probleme në Bruksel. Si pjesë e një përpjekjeje për të shmangur një kufi të vështirë në Irlandë, Britania e Madhe propozon të aplikojë tarifat e BE për mallrat e BE që kalojnë përmes Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa ka liri për të vendosur tarifa të ndryshme për mallrat që hyjnë në MB.

Por diplomatët e BE që dëgjuan skicat e hershme të planit thanë se dukej shumë afër propozimeve të mëparshme që u refuzuan vitin e kaluar.

12 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)