Kryesoret Protesta e banorëve për pyllin në Bulqizë, Prefekti: Monitorim të rreptë!

Protesta e banorëve për pyllin në Bulqizë, Prefekti: Monitorim të rreptë!

191
SHPËRNDAJE

Dhënia e një koncesioni për shfrytëzimin e pyjeve në Bulqizë ka sjellë përplasje të forta mes banorëve dhe koncesionarit, ndërkohë që institucionet shtetërore deklarojnë se nuk mund të prishin kontratën, pasi ajo është ligjore, por po negociohet me banorët që të ketë kushte të forta monitorimi që mos të kryhet prerje të paligjshme dhe të mos devijohet nga kontrata.

Prefekti i Dibrës ka marrë përsipër të zgjidhë mosmarrëveshjet, por deri më sot ende nuk është rënë në dakordësi. Pas transmetimit të protestës së banorëve, Fiks Fare bisedoi edhe me administratorin e koncesionarit, Shkëlqim Keshi, i cili thotë se kontratën e ka të rregullt dhe deri më sot ka zbatuar ligjin. Sipas tij, kontrata ka ndjekur të gjitha hapat ligjorë. Madje, për këtë disponon dhe dokumentacionin përkatës. Ai deklaron që pavarësisht kësaj, pengesë i janë bërë banorët e keqinformuar nga zyrtarë të lartë.

Madje, ai deklaron se ish-prefektja e Dibrës, pavarësisht se ka marrë përgjigje nga të gjitha institucionet, ka deklaruar duke shpërdoruar detyrën, se nuk mund të hapet rrugë. Por tashmë, prefekti i ri e ka kuptuar këtë gabim. Në këto kushte, banorët ishin keqinformuar, pasi njerëzit nuk kishin lexuar kontratën. Tashmë, çdo gjë është sqaruar dhe ne jemi të gatshëm t’u shpjegojmë banorëve se nuk do të dëmtojmë pyllin, pasi do presim vetëm pemët e damkosura.

Për këtë mund të na monitorojnë edhe vetë banorët dhe nëse konstatojnë ndonjë shkelje, çdo njeri që e bën do të dërgohet para ligjit. Në këto kushte, ne duam që institucionet shtetërore të sqarojnë situatën, pasi punonjësit tanë janë të pasigurtë për jetën, ose ndryshe të na anulojnë koncesionin dhe të na dëmshpërblejnë për investimin që kemi bërë.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi deklaroi se Bashkia është vetëm monitoruese e kësaj kontrate. Pas një sërë letërkëmbimesh është vënë re se kontrata është në rregull dhe kompania ka shlyer detyrimet ligjore. Këtë jemi munduar t’u shpjegojmë edhe banorëve, të cilët në njërën anë nuk kanë faj pasi është bërë kasaphanë ndër vite me pyjet dhe kanë frikë se mund të jetë e njëjta histori, por bashkia do e monitorojë me rreptësi ekzekutimin e kontratës që mos të bëhen shkelje dhe të mos ketë pasoja të pariparueshme.

Kurse Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu deklaron se kontrata është e rregullt, por nuk mund të anulohet, pasi dëmshpërblimi është në vlerë shumë të madhe. “Nga ana tjetër, ne kemi tentuar të sqarojmë dhe banorët, madje kemi kërkuar nga bashkia që për të rënë në një ujdi, të ardhurat që do krijohen nga koncesionari të përqendrohen me investime në këto fshatra dhe të ketë monitorim më të rregullt. Këto ditë është planifikuar që të vijnë grupe edhe nga qeveria që të sqarojnë banorët. Deri tani nuk është arritur një marrëveshje, por besoj se shumë shpejt do të arrihet, pasi moslejimi i kompanisë për të punuar, i sjell asaj penalizime për mosrealizim kontrate dhe më pas ajo mund të kërkojë dëmshpërblim”, deklaroi prefekti.

12 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)