Botë Protesta në Londrën e blinduar. Trump: Anglezët më duan mua! (FOTO)

Protesta në Londrën e blinduar. Trump: Anglezët më duan mua! (FOTO)

300
SHPËRNDAJE

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka mbërritur në Britaninë e Madhe, duke thënë se është “gjë e mirë” që ka protesta gjatë vizitës së tij. Trump dhe bashkëshortja e tij Melania u ulën në Stansted me Air Force One në orën 13:50 para se një helikopter t’i çonte në rezidencën e ambasadorit amerikan në Londër.

Trump do të takohet me Theresa May, e cila po kërkon me ngulm një marrëveshje “shpëtimtare” tregtie pas Brexit. Vizita vjen vetëm dy ditë pasi ai tha se Mbretëria e Bashkuar është në gjendje “trazirash”, ndërkohë që në londër dhjetëra manifestime kundër presidentit amerikan do të mbahen, me aktivistët e të drejtave të njeriut, që po e presin me banderola kundër.

Kryeqyteti britanik duket i blinduar dhe forca të shumta policie janë angazhuar për një sërë protestash. Për ta zhveshur vizitën e tij nga dramaticiteti Trump “theu akullin” duke thënë: “Britanikët më pëlqejnë shumë mua”.

Ndërkohë duke folur në samitin e NATO-s në Bruksel para se të nisej në Britani, Trump tha se Britania e Madhe ishte një “vend mjaft i nxehtë tani”. Trump, i cili gjithashtu do të kalojë kohë me Mbretëreshën gjatë vizitës së tij dy ditore, shtoi: “Unë mendoj se më pëlqen shumë Britania e Madhe, mendoj se ata pajtohen me mua për emigracionin …”.

“Ju e shihni se çfarë po ndodh në të gjithë botën me emigracionin … Unë mendoj se kjo është arsyeja pse Brexit ndodhi”, shtoi ai.

Por ai shtoi polemikat për planin e Theresa May kur tha: “Brexit është Brexit dhe populli britanik votoi për ta arritur atë, kështu që unë imagjinoj se kjo është ajo që ata do të bëjnë, por ndoshta ata janë duke marrë një rrugë tjetër – unë nuk e di nëse kjo është ajo për të cilën votuan” .

Trump ka qenë kohët e fundit i kritikuar ashpër për politikën e tij të emigracionit, gjë që rezultoi në ndarjen e familjeve emigrante. Ndërkohë vizita e tij në londër vjen pasi kryeministrja May publikoi një letër të bardhë që paraqet një plan për marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar me BE.

Presidenti i SHBA dhe gruaja e tij do të marrin pjesë në një darkë, të organizuar nga zonja May, në Pallatin Blenheim – shtëpia stërgjyshore e Sir Winston Churchill – në mbrëmje.

May tha se vizita në Mbretërinë e Bashkuar do të ishte një mundësi për të rritur lidhjet tregtare dhe për të forcuar bashkëpunimin mbi sigurinë. Por ajo gjithashtu paralajmëroi Trump të mos injorojë “sjelljen e keqe” të Rusisë kur të takojë Vladimir Putin në Helsinki javën e ardhshme. Trump kishte bërë shaka më parë këtë javë duke thënë se takimi i tij me udhëheqësin rus “mund të jetë pjesa më e lehtë” e turit të tij evropian.

12 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)