Politikë Ruçi nga Varshava: Vendet tona duhet të kenë yll polar BE-në

Ruçi nga Varshava: Vendet tona duhet të kenë yll polar BE-në

81
SHPËRNDAJE

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ndodhet në Varshavë, ku po merr pjesë në Samitin e Kryetarëve të Parlamenteve të Evropës Qendrore e Lindore, si edhe në kremtimin e 550 vjetorit të parlamentarizmit në Poloni, në datat 12-13 korrik. Ruçi është i ftuar nga kryetari i Senatit dhe kryetari i Parlamentit të Polonisë së bashku me Kryetarin i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla.

Në fjalën e tij të mbajtur në Samit, Ruçi vuri në dukje se Evropa Qendrore dhe Lindore përbën një ndër zonat ekonomike e politike më të rëndësishme të globit dhe një thesar kulturor të njerëzimit, të cilin ne, banorët e tij, duhet ta ruajmë e pasurojmë.

“Gjatë tri dekadave të fundit, krahas valëve të demokratizimit, vendet tona janë përfshirë njëkohësisht në proceset e modernizimit, perëndimizimit dhe evropianizimit. Pavarësisht diferencave midis tyre, ato konvergojnë në një drejtim kryesor: vlerat evropiane. Evropianizimi i shoqërive tona është tipar i kohës. Prandaj bashkëpunimet tona dypalëshe dhe rajonale duhet të kenë si yll polar Bashkimin Evropian, si një bashkim vlerash, aspiratash, vizionesh dhe qytetarësh evropianë”, tha Ruci.

Ruçi falënderoi parlamentet e Polonisë, Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Estonisë, Greqisë, Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Rumanisë dhe Sllovakisë, për mbështetjen që u dhanë qeverive të tyre për qëndrim pro hapjes së negociatave me Shqipërinë. Arritja e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm ishte një temë qëndrore e Samitit.

Kuvendi i Shqipërisë po punon për inkorporimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në hartimin e ligjeve, buxhetit, funksionet e mbikëqyrjes e përfaqësimit, si edhe dokumentat strategjikë, programet e masat e qeverisë. Gjatë dy viteve të fundit, Kuvendi i Shqipërisë ka udhëhequr zbatimin e reformës në drejtësi, unike në rajon, e cila synon të reformojë sistemin gjyqësor, të rrisë transparencën dhe përgjegjshmërinë e gjithë sistemit të drejtësisë. Rezultatet e kësaj reforme janë të prekshme dhe mbresëlënëse.

“Shqipëria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për fuqizimin e mirëqenies dhe kohezionit social. Vendi po rritet ekonomikisht me rreth 3-4 përqind në vit, duke rimodeluar zhvillimin ekonomik drejt hapjes së vendeve të punës, reduktimit të varfërisë dhe zgjerimit të shërbimeve publike, sociale e shëndetësore cilësore e të përballueshme. Rezultat i reformave është ulja e ndjeshme e papunësisë, e cila, për herë të parë pas vitit 1990, arriti 12.5 përqind; ulja e varfërisë së matur me fuqinë blerëse, e cila është përgjysmuar gjatë gjashtë viteve të fundit: nga 62.5 në 32.8 përqind; ngushtimi i hendekut gjinor në tregun e punës dhe ecja drejt Mbulimit Shëndetësor Universal”, theksoi kreu i Kuvendit.

12 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)