Ekonomi “Teatri”, PD: Përgjysmimi i çmimit të tokës, pjesë e planit mafioz

“Teatri”, PD: Përgjysmimi i çmimit të tokës, pjesë e planit mafioz

66
SHPËRNDAJE

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, tha se Edi Rama po përdor “Fusha sh.p.k” si kompani guackë për pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit.

Ajo deklaroi se PD ka paraqitur me fakte sesi në 4 vjet, Edi Rama i dha “Fusha sh.p.k” rreth 80 milionë tendera publikë, pasi kjo kompani bëri në të zezë punimet për të shndërruar kryeministrinë në një pallat luksoz për Ramën.

“Ne provuam se Fusha sh.p.k duhet të hetohet nga ligji Antimafia për shkak të lidhjeve të afërta të gjakut me trafikantin ndërkombëtar të drogës, Sulejman Fusha, i cili është vëllai i ish kryeprokurorit të Tiranës, Petrit Fusha. Është ky person që deri pak muaj më parë drejtonte prokurorinë e Tiranës dhe që ka mbyllur dosjet penale të Veliajt dhe ministrave Ahmetaj e Gjiknuri. Prej këtij të fundit ka marrë tani koncesionin prej 125 milionë euro të hidrocentralit të Kalivaçit dhe ndërtimin e Bulevardit të Vlorës”, u shpreh Tabaku.

Ajo publikoi ato që i quajti prova sesi “skema mafioze” e Edi Ramës për të marrë tokën tek Teatri është e vjetër, e mirëmenduar dhe e vënë në funksionim pas marrjes së Bashkisë nga Erion Veliaj.

Sipas Tabakut, sapo “Fusha sh.p.k” u bë pronar i një pjese toke pranë zonës së Teatrit, qeveria e Edi Ramës ka përgjysmuar çmimin e vlerës së truallit në Qendrën Historike, në zemër të kryeqytetit.

Në këtë linjë tha se në vitin 2016, vit kur “Fusha” u bë pronar, Edi Rama e zhvlerësoi pronën nga 1 milionë e 200 mijë lekë për m2 që ishte në vitin 2012 në më pak se 670 mijë lekë të vjetra për m2.

Por siç tha ajo, “mafies” Rama-Fusha- Veliaj as kjo nuk i mjafton.

“Tani kanë nisur të kërcënojnë pronarët e ligjshëm, të cilët nuk duan t’ua shesin pronën me një çmim qesharak një kompanie, prapa të cilës qëndron kryeministri i vendit, i cili llogaritet të fitojë jo më pak se 205 milionë euro nga kullat që ka planifikuar të ndërtojë për pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit. Plani mafioz i Edi Ramës ka edhe një aspekt tjetër skandaloz! Ligji i miratuar në parlament i fal ‘Fusha sh.p.k 2100 metra katrorë, pronë e Bashkisë së Tiranës, në kundërshtim me ligjin për qeverisjen vendore”, deklaroi Tabaku.

Ajo tha se e vetmja mënyrë që Erion Veliaj t’ia japë këtë pronë është ta tjetërsojë me vendim në Këshillin Bashkiak. “Çdo akt i ndryshëm nga ky çon në burg këdo që merr përsipër të falë pronat e qytetit tek kompania private e kryeministrit, përfshirë edhe vetë kryetarin e bashkisë Erion Veliaj”.

12 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)