Kryesoret “Vettingu i ngadaltë”, Basha: Rezultati i reformës në drejtësi, zero

“Vettingu i ngadaltë”, Basha: Rezultati i reformës në drejtësi, zero

109
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në Uashington, ku të enjten mori pjesë në një konferencë të organizuar nga Instituti “Hudson”, lidhur me marrëdhëniet transatlantike. Në një intervistë për Zërin e  Amerikës, Basha u ndal te problemet e fundit me të cilat ndeshet Shqipëria, si ngërçi lidhur me shkollën e magjistraturës, ligji për teatrin kombëtar, krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Basha tha se vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve po ecën me ritme të ngadalta. Ai akuzoi Partinë Socialiste se ka hedhur poshtë kërkesën edhe të organeve të vetting-ut edhe të opozitës për t’u pajisur me një buxhet të mjaftueshëm dhe me burime njerëzore, në mënyrë që vetting-u të ecë më shpejt.

“Partia Socialiste votoi për të prerë me 40 për qind buxhetin e propozuar nga organet e vetting-ut. Tani organet e vetting-ut nuk janë në gjendje të përparojnë me ritmet e duhura, duke vënë në pikëpyetje kalendarin e reformës në drejtësi, duk shtyrë krijimin e KLGJ-së dhe KLP-së, shtyrje që është antikushtetuese, sepse ke Kushtetutë këto dy organe duhet të ishin krijuar prej kohësh”,tha Basha.

Kreu i PD më tej shtoi se mazhoranca po propozon krijimin e institucioneve jashtë kuadrit të reformës në drejtësi, të cilat edhe pa vetting mund të emërojnë gjyqtarë dhe prokurorë.

“E ka bërë këtë me prokuroren e përgjithshme, e cila u emërua në kundërshtim me Kushtetutën, tani do t’i japë kësaj prokurore të përgjithshme dhe KLD-së kompetenca për të futur pa vetting dhe jashtë procedurave kushtetuese kandidatë në sistemin e drejtësisë”, theksoi Basha.

Lidhur me kritikat ndaj opozitës për tentativë bllokimi të reformës në drejtësië, Basha tha se “të gjithë kritikat ndaj opozitës kanë qenë pjesë e një lufte politike për të mbuluar qëllimin e vërtetë të mazhorancës, që nuk ka qenë reforma, por kapja e drejtësisë”.

“Ndaj kemi ardhur këtu: nuk kemi asnjë bandë të krimit të organizuar të çmontuar, nuk kemi asnjë kokë të krimit të organizuar para gjykatës, nuk kemi asnjë politikan të lidhur me krimin, apo të korruptuar para drejtësisë. Pra, rezultatet e reformës në drejtësi janë akoma zero”, theksoi Basha.

Sipas Bashës, qeveria Rama ka “vonuar krijimin e SPAK-ut dhe BKH-së, dhe duke mos ia dhënë pushtetin e reformimit të drejtësisë vet organeve të drejtësisë, por Fatmir Xhafës dhe Arta Markut, të emëruar vetëm me votat e Edi Ramës”.

Rezultati për PD është i dukshëm dhe është negativ pasi Saimir Tahiri bredh i lirë dhe bandave të mëdha të trafikut të drogës nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë, ndërsa droga dhe parat e  drogës dalin e hyjnë nëpër portet e Shqipërisë lirshëm, në kushtet kur vendit i mbeten të mbyllura dyert e negociatave me BE.

12 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)/VOA