Aktualitet Vettingu, Prokurori Beluri konfirmohet në detyrë

Vettingu, Prokurori Beluri konfirmohet në detyrë

88
SHPËRNDAJE

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokurorin Kostaq Beluri. Beluri punon aktualisht si prokuror në Sektorin e Verifikimit të Integritetit, i njohur ndryshe si sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ai ka punuar si zv.prokuror i Tiranës në vitet 1999-2004 dhe si drejtor i Luftës kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit në vitet 2004-2007.

Sipas KPK, pas verifikimit të thelluar të kryer në të tre shtyllat e Vettingut, Kostaq Beluri është vlerësuar i përshtatshëm për të vijuar detyrën e tij në sistemin e drejtësisë.

Beluri justifikonte pasurinë me të ardhura të përfituara në mënyrë të ligjshme. Po ashtu, ai kaloi testin e integritetit moral dhe profesional.

Edhe pse Beluri është prokurori që ka pushuar çështjen ndaj gjyqtarit Admir Thanza, i cili rezulton te i dënuar për grabitje, kjo çështje nuk ndikoi në vendimmarrjen finale për prokurorin.

Sipas raportit të ILDKPIK-së, prokurori Beluri ka bërë deklarime të sakta të pasurisë.Ai ka në pronësi një apartament në Tiranë, me sipërfaqe 60 m2, një depozitë bankare 850 mijë lekë nga kursimet dhe 720 mijë lekë në llogari rrjedhëse. Edhe hetimi i thelluar ka konstatuar se pasuritë e tij janë të justifikuara.

Pozitiv ka rezultuar edhe raporti drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, i cili e ka vlerësuar si të përshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

12 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)