Sport Botërori 2018 Viktima e Erdoganit në futboll: Mesut Özil

Viktima e Erdoganit në futboll: Mesut Özil

349
SHPËRNDAJE

A do ta braktisë Mesut Özili kombëtaren gjermane të  futbollit? Edhe në Turqi atë e presin me ndjenja të përziera. Që dikur  ai vendosi kundër Turqisë, këtë nuk ia kanë harruar.
Evropa

Në Gjermani vazhdojnë të shqiptohen gjithnjë e më shumë kritika kundër Mesut Özil-it: fillimisht fotografia e përbashkët me Presidentin e shtetit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan. Pastaj performanca e tij e dobët gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit 2018. Por edhe në Turqi Özili ka qenë në të kaluarën shpesh objekt kritikash, sepse nuk luante për Turqinë. Lojëtar i preferuar për këtë shkak ai asnjëherë nuk ka qenë në Turqi.

Që prej 2009-ës Özili luan për ekipin kombëtar gjerman të futbollit. Në biografinë e tij “Magjia e lojës: dhe për se ke nevojë që t’i bësh realitet ëndrrat e tua” ai tregon për vendimin e tij të vështirë për të luajtur për Gjermaninë. E ëma donte që ai të luante për ekipin kombëtar turk të futbollit, i ati që të luante për ekipin gjerman. Özili dëgjoi të atin.

Kalim në një ekip turk futbolli?

Bagis Erten është gazetar sporti në gazetën Cumhuriyet. Ai tregon se vendimi i atëhershëm i Özilit që të luante për ekipin kombëtar gjerman të futbollit në vend të atij turk, solli kritika të mëdha ndaj Özilit në Turqi. Ka mundësi që Özili ta braktisë kombëtaren gjermane të futbollit dhe të luajë për një ekip futbollistik në Turqi, thotë Erten. Ai nuk e përjashton që së shpejti gazetat turke të dalin me tituj si “A nuk po gjen ekip, o Mesut?

Shtypi në Turqi i ka ndjekur vetëm pjesërisht zhvillimet rreth  Özilit, shpjegon Erten.”Meqenëse në Turqi është normale që të  fotografohesh me Erdoganin, bota futbollistike nuk e kuptoi se çfarë  problemesh i kanë dalë Özilit në Gjermani”, shpjegon ai. Mendimi  personal i Ertenit: Özili duhet ta kishte menduar që më parë që një  fotografi me Erdoganin, i cili kritikohet në Evropë, nuk lë përshtypje  të mirë për të. Por Erteni beson se shkaku i mirëfilltë për kritikën  ndaj Özilit qe performanca e tij e dobët .”Po të kishte luajtur shumë  mirë Gjermania në Kampionatin Botëror të Futbollit, a do të qenë  përqendruar kaq shumë te Özili? Nuk besoj”.

“Dilema e gjermano-turqve”

Kenan  Basaran shkruan për sportin për gazetën ditore Hürriyet. Ai kujton  Ilkay Gündoganin. Edhe ai e takoi Erdoganin, por Gündogani arriti që me  një deklaratë ta menaxhojë më mirë situatën. “Ndërsa Mesut Özili  gjithmonë heshti. Po të besojë se e kanë trajtuar në mënyrë të padrejtë,  ai duhet të qe mbrojtur”, u shpreh Basaran.

“Po qe se bota e  sportit në Gjermani është e mendimit se kjo fotografi nuk përshtatet me  integrimin, atëherë ata nuk duhet ta kishin lënë fare Özilin që të  luante për ekipin kombëtar gjerman të Futbollit.”

Pra a nuk është  i mundur integrimi i sportistëve gjermanë me rrënjë turke si Özili? “Që  t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje nuk është e lehtë”, shprehet  Basaran nga gazeta e përditshme Hürriyet. Sportistët, familjet e të  cilëve kanë emigruar nga Turqia për në Gjermani ndodhen në një dilemë të  madhe midis të dyja vendeve, deklaroi ai. “Në Turqi Özilin e akuzuan se  nuk luan për Turqinë. Tani e fajësojnë në Gjermani. Nuk mund ta mohosh  konfliktin kulturor që përjetojnë këta njerëz.

12 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com) / DW