Deklaratat e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë kanë sjellë edhe një reagim nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë.


Ky Këshill shpreh shqetësimin për “qëndrime të tejkaluara në kohë të ashtuquajtura opsioni i “korrigjimit të kufijve”. Në deklaratë theksohet se zhvillimet e fundit në Kosovë kanë krijuar paqartësi në opinionin publik dhe brenda të gjithë faktorit shqiptar.


Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet qëndrimet në vazhdimësi, zyrtare dhe publike të qeverive të Republikës së Shqipërisë të cilat kanë përjashtuar opsionin e korigjimeve të kufijve për zgjidhjen e interesit kombëtar.


“Fryma e dialogut me Serbinë dhe rezultatet e negociatave duhet të jenë domosdoshmërisht në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës, interesat kombëtare dhe ato të partnerëve strategjik SHBA dhe BE. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet gjithashtu, institucionet e Kosovës përfaqësuese në dialogun Prishtinë – Beograd, të vazhdojnë me përgjegjësi këtë proces i cili është shumë i rëndësishëm për stabilitetin në rajonin tonë. Përmbushja me sukses sfidave të brendshme që lidhet me zbatimin e reformave, luftën kundër korrupsionit, konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e mirëqenies në Kosovë, është detyrë lidershipi politik dhe detyrim i patjetërsueshëm ndaj qytetarëve dhe miqve ndërkombëtarë të Kosovës”, thuhet në deklaratë.


6 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)