Kulturë John Fante, jeta në sytë e gruas që deshi

John Fante, jeta në sytë e gruas që deshi

144
SHPËRNDAJE

Joyce shkroi atë mbrëmje kur u kthye nga funerali i tij, dhe kur gjithë shtëpia i ngjasoi me një tunel të madh trishtimi vargun e parë të mallit për të. Si poete Joyce e dinte se as dashuria për katër fëmijët që ai la pas dhe as dorëshkrimet nuk do t‘ia kthenin më mallin me burrin e ikur. Por Fantes nuk e pëlqente dëshpërimin. Ashtu si Arturo Bandini (personazhi kryesor i romanit “Pyesni pluhurin”) edhe ai nuk donte që të tjerët të merreshin shumë me dhembjen, aq më tepër ajo Joyce e tij e dashur.

Në letërsinë e këtyre viteve, emri i John Fantes duket se po dominon çdo ditë e më tepër. Kritikët botojnë libra të tërë mbi personazhet që ai krijoi, ndërsa stili i tij i të rrëfyerit është kthyer në një lloj shkolle për të gjithë ata që duan të jenë shkrimtarë. Në dhomën e gjumit të një shkrimtari të ri, diku në një cep do të gjesh të shkruar Arturo Bandini. Të gjithë do të donin t‘i ngjanin Bandinit, djaloshit të ri italo-amerikan që ëndërronte të bëhej shkrimtar dhe ia doli. Emrin e John Fantes të gjithë e lidhin me librin “Pyesni pluhurin” në të cilin ai rrëfeu historinë e vërtetë të një të riu, në Amerikën e atyre viteve që luftonte me pasionin për të shkruar.

Arturo Bandini, personazhi kryesor i këtij libri është një i ri që ka me vete vetëm një ëndërr, të bëhet shkrimtar. Në një nga kafenetë ku hynte me ato pak të holla që kishte ai njihet me Camilla-n, kamerieren që do të kthehet më pas në motivin e vetëm që ai ka për të shkruar. Bandini bie në dashuri me Camilla-n këtë vajzë tipike amerikane, që më pas i dorëzohet drogës derisa përfundon në çmendinë. Por Bandini e mban të pastër dashurinë për të, si të vetmen dashuri të tij deri në ato vite dhe rend pas saj deri në momentin kur ajo bashkë me qenushin që ai e bleu për të u tret tutje përmbi shkretëtirë. Duke përtypur thellë dhembjen, ai shkruan mbi kopjen e librit që kishte në duar një dedikim për të dhe e flaku librin andej nga ishte zhdukur ajo. Për kritikët “Pyesni pluhurin” nuk është thjesht një histori e zakonshme dashurie. Fantes ka bërë më ketë libër një analizë deri në fijet më të holla të ndjenjave që shoqërojnë jetën e një të riu që dëshiron të bëhet shkrimtar. Pavarësisht viteve, Arturo Bandini mbetet personazhi që të gjithë kërkojnë t‘i ngjajnë.

Fantes u bë i njohur që i ri me tregimet e para që i botonte te revista “The American Mercury” drejtuar nga i famshmi Mencken, me të cilin pati një miqësi të gjatë. Falë talentit të shfaqur përmes këtyre provave, ai punoi si skenarist në Hollivud, duke filluar qysh nga viti 1932 kur ishte 23 vjeç. Gjithsesi, për asnjë moment ai nuk u josh nga industria e filmit, përkundrazi nuk reshti kurrë përpjekjet për të bërë letërsi të vërtetë që u kurorëzua veç pas disa vitesh (1938) kur iu pranua për botim romani i tij i dytë. Fantes ka lindur në Amerikë, bir emigrantësh italianë. I ati, Nick Fantes, rridhte nga malësitë e Abruzzos dhe punonte murator. Porse ishte disi i paqëndrueshëm në karakter dhe kishte një dell endacaku që e detyronte të jepej pas pijes dhe lojës dhe më pas e gjitha kjo binte mbi familjen e sidomos mbi të shoqen, Mary Fantes. Madje, për një periudhë ai e braktisi familjen për të jetuar me një grua tjetër. Studimet e para John i kreu nën udhëheqjen e urdhrit jezuit, porse vite më vonë, sidomos gjatë viteve të pjekurisë, ai do të njihte si bibël të vetme “Antikrishtin” e Niçes.

Ai frekuentoi edhe universitetin, por nuk shkëlqeu kurrë si student. Gjithsesi, këtu u dallua shpejt si një talent letrar i fuqishëm. Në këtë periudhë jetonte duke bërë punë të ndryshme dhe duke mos e humbur shpresën për të qenë shkrimtar. Kjo ëndërr ishte e vetmja fushë ku ai përqendronte energjitë e tij më të mira dhe në vitet e rinisë ai lexoi mbarë kryeveprat e letërsisë dhe filozofisë antike, moderne dhe bashkëkohore. Gjithsesi, në stilin e romaneve të tij, ndikoi më së shumti shkrimtari norvegjez, Knut Hamsun, një ndër autorët më të rëndësishëm të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shek XX. “Wait until spring, Bandini” romani që i solli botës një tjetër narrator të paharrueshëm, John Fantes, u frymëzua lirisht nga “Uria” e Knut Hamsun. Kurse “Pyesni pluhurin” botuar së pari më 1939 përmban disa aluzione hamsuniane, ku përfshihet edhe titulli që është shkëputur nga një pasazh i romanit “Pan”.

Një tjetër provë e dashurisë së tij për Hmasun është dhe fakti se e quajti të bijën Viktoria, për hir të veprës më të famshme të norvegjezit. Fantes u martua fshehurazi me Joyce Smart, poete dhe një intelektuale borgjeze, e cila i ndenji pranë gjithë jetën. Dhe jeta e tij qe mjaft e vështirë. Në gjysmën e viteve ‘50 ai u sëmur nga diabeti që mbas njëzet vjetëve do t‘i merrte me radhë dy këmbët mandej shikimin dhe në fund në 1983 edhe shpirtin. Në rrëfimin për jetën e tij, përkthyesi i tij në gjuhën shqipe Astrit Çani shkruan se “përgjithësisht veprat e Fantes janë autobiografike dhe romancieri frymëzohet lirisht nga ngjarjet e jetës së vet plot tallaze. Por ajo çka përçohet nuk është e dhëna kronologjike e faktike më shumë se fryma emotive e përvojës së tij jetësore dhe ajo çka mbetet është një shije mallëngjimi, elegance dhe shprese të zbukuruar nga një frymë ironie gjithmonë në funksion të dashurisë për njerëzimin”.

10 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)