Botë Qytetari e “mposht” në gjyq, 289 mln $ dëmshpërblim nga Monsanto

Qytetari e “mposht” në gjyq, 289 mln $ dëmshpërblim nga Monsanto

849
SHPËRNDAJE

Gjigandi i prodhimeve kimike dhe industriale “Monsanto” është urdhëruar të paguajë 289 milion dollarë dëmshpërblim për një njeri që pretendoi se herbicidet që përmbanin glyphosate kishin shkaktuar kancer në trupin e tij.

Në një rast të rëndësishëm, një juri kaliforniane zbuloi se Monsanto e dinte se prodhimet e saj Roundup dhe RangerPro ishin të rrezikshme dhe nuk arritën t’i paralajmëronin konsumatorët. Kjo është padia e parë që triumfon në gjyq duke pretenduar një lidhje të glyphosate me kancerin.

Monsanto mohon se glyphosate shkakton kancerin dhe thotë se synon të apelojë kundër vendimit. “Juria vendosi gabim”, tha zëvendëskryetari Scott Partridge jashtë gjykatës në San Francisko.

Paditësi, Dewayne Johnson, është në mesin e më shumë se 5.000 paditësve të ngjashëm në të gjithë SHBA. Korrespondentët thonë se vendimi i Kalifornisë ka gjasa të çojë në qindra pretendime të tjera kundër Monsanto, e cila është blerë kohët e fundit nga konglomerati gjerman Bayer AG.

Johnson u diagnostikua me limfomë jo-Hodgkin në vitin 2014. Avokatët e tij thanë se ai përdorte rregullisht një formë të RangerPro ndërsa punonte në një shkollë në Benicia të Kalifornisë.

Juristët thanë se kompania kishte vepruar me “keqdashje” dhe se avulluesit e saj kontribuan “në thelb” ndaj sëmundjes së fundit të zotit Johnson. Pas një gjyqi që zgjati tetë javë, juria urdhëroi superfuqinë e tregut të produkteve bujqësore të paguajë 250 milion dollarë për dëmet së bashku me shpenzimet e tjera që e çojnë shifrën e përgjithshme deri në gati 290 milion dollarë

Avokati i zotit Johnson, Brent Wisner, tha se aktgjykimi i jurisë tregoi se provat kundër produktit ishin “dërrmuese”. “Kur ke të drejtë, është shumë e lehtë të fitosh”, tha ai, duke shtuar se vendimi ishte vetëm “maja e ajsbergut” për rastet e ardhshme ligjore.

Implikimet e këtij vendimi do të ndjehen përtej selisë së Monsanto në Misuri. Glyphosate është më i zakonshmi në botë dhe siguria e saj ende nuk është vendosur. Në vitin 2015, Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit, agjencia e kancerit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përfundoi se ishte “ndoshta kancerogjen ndaj njerëzve”. Por Agjencia Amerikane e Mbrojtjes së Mjedisit (EPA) vazhdon të këmbëngulë që glyphosate është i sigurt kur përdoret me kujdes.

Disa demokratë kanë bërë thirrje për një hetim të Departamentit të Drejtësisë për marrëveshjen e dyshuar midis zyrtarëve qeveritarë dhe Monsanto. Në Kaliforni, ku një gjyqtar kohët e fundit vendosi se kafja duhet të mbajë një paralajmërim për kancer, industria bujqësore paditi vendimin për parandalimin e një etikete paralajmëruese për glyphosate edhe pse shteti e rendit atë si një kimikat të njohur që mund të shkaktojë kancer.

Në Evropë, gjithashtu, beteja mbi glyphosate ka qenë e ashpër. Presidenti francez Emmanuel Macron po përpiqet ta ndalojë atë pavarësisht nga rezistenca e disa ligjvënësve francezë dhe fakti që Komisioni Europian kohët e fundit i dha një tjetër patentë pesëvjeçare.

Në një deklaratë pas vendimit, Monsanto tha se ishte “dashamirëse ndaj Johnson dhe familjes së tij” por do të “vazhdonte ta mbronte fuqishëm këtë produkt, i cili ka një histori 40-vjeçare të përdorimit të sigurt”.

“Vendimi i sotëm nuk ndryshon faktin se më shumë se 800 studime dhe rishikime shkencore dhe konkluzione nga Agjencia Amerikane e Mbrojtjes së Mjedisit, Institutet Kombëtare të Shëndetësisë dhe autoritetet rregullatorë në mbarë botën, mbështesin faktin se glyphosate nuk shkakton kancer dhe nuk shkaktoi kancerin e Z. Johnson”, thuhej në një deklaratë të Monsanto.

11 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)