Kryesoret Rumani, rreth 50 mijë protestues në sheshe, përplasen me policinë (Video)

Rumani, rreth 50 mijë protestues në sheshe, përplasen me policinë (Video)

148
SHPËRNDAJE

Policia është përplasur me dhjetëra mijëra protestues antiqeveritarë në mbarë Rumaninë. Një turmë mes 30 mijë e 50 mijë personash, përfshi edhe shumë të riatdhesuar, morën pjesë në protestat mbarëkombëtare, sipas asaj që theksojnë mediet vendase.

Disa prej protestuesve në kryeqytetin rumun, Bukuresht, hodhën shishe dhe pllakat e rrugës kundrejt efektivëve të policisë, ndërsa këta të fundit u kundërpërgjigjën me përdorimin e gazit lotsjellës, sprait djegës e madje edhe hedhëseve të ujit.

Rreth 100 protestues iu nënshtruan kujdesit të nevojshëm shëndetësor, sikurse edhe 10 policë morën ndihmën e parë sipas shërbimeve të emergjencave. Një grup protestuesish u përpoqën të çanin rrethimin dhe të hynin në ndërtesën qeveritare në Bukureshtit, por u zmbrapsën nga kordoni i sigurisë së policisë.

Disa të tjerë mbanin flamuj rumunë e atë të Bashkimit Europian, teksa thërrisnin slogane të ndryshme e u binin daulleve. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë, pasi kundërshtojnë përpjekjet e perceptuara prej tyre për dobësimin e sistemit të drejtësisë, përpjekje këto nga socialdemokratët (PSD) në pushtet, sikurse edhe për pagat e ulëta dhe korrupsioni i shtrirë gjerësisht në vend.

Protesta kundër partisë në pushtet PSD janë zhvilluar prej muajsh në Rumani. Në korrik, presidenti Klaus Iohannis miratoi shkarkimin e prokurores antikorrupsion, Laura Codruta Kovesi, e cila po udhëhiqte hetimet ndaj politikanëve lokalë e qendrorë për ryshfete. Presidenti Iohannis ishte vënë nën një presion gjithnjë e në rritje nga qeveria e PSD-së për të pranuar shkarkimin e saj.

Rreth 150 mijë shtetas rumunë u mblodhën në Bukuresht vitin e kaluar, pasi qeveria kaloi një dekret që do të mund të lironte të burgosurit e dënuar mbi akuza për korrupsion. Shumë shtetas rumunë të tjerë kanë ardhur nga emigracioni për t’iu bashkëngjitur protestave.

Sipas Bankës Botërore, rreth çereku i popullsisë së Rumanisë – afro 3-5 milionë banorë, – jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, duke kthyer mbrapsht në vendlindje rreth 5 miliardë dollarë, në një nga vendet më pak të zhvilluara të Bashkimit Europian.

11 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)