Ekonomi Taksat e bixhozit, Presidenti: U lehtësua kumari. PS: Meta gabon

Taksat e bixhozit, Presidenti: U lehtësua kumari. PS: Meta gabon

150
SHPËRNDAJE

Ndryshimi i ligjit për tatimin mbi të ardhurat, që u miratua nga kuvendi ne qershor ka shkaktoi përplasje jo vetëm politike, por edhe mes institucioneve më të larta të shtetit. Presidenti vendosi ta kthejë ligjin me argumentin se ai ul taksat për kumarin.

“Ky reduktim realizohet nëpërmjet aplikimit të sistemit të ri të tatimit për këto biznese, i cili me ligjin e ri përcakton si të ardhura bruto, jo “xhiron totale” (siç parashikohet nga ligji ekzistues), por “fitimet bruto”, e cila përllogaritet duke zbritur shumën e fituar nga lojtarët nga shuma totale e luajtur prej tyre. Pra sipas nenit 6 të ligjit nr. 39 /2018, barra fiskale e tatimit ulet nga 15% mbi xhiron, në 15% mbi fitimet bruto”, thuhej në dekretin e Presidentit.

Por sipas Ministrisë së Financave tatimi mbi fitimin për industrinë e lojërave të fatit nuk ndryshon, nuk ndryshon as baza e tatueshme. Prej tre vitesh e ardhura bruto është përcaktuar tek ligji i lojërave të fatit si diferencë mes shumës së luajtur nga lojtarët dhe fitimeve që kompania u shpërndan atyre. Kjo skemë taksimi është miratuar me firmën e zotit meta si kryetar parlamenti. Sipas ministrit të Financave ndryshimi i vetëm është rritja e tatimit mbi fitimin për Lotarinë Kombëtare.

“Ligji rrit ngarkesën fiskale për atë kompani që ishte e përjashtuar nga definicioni standard dhe nga taksimi 15 përqind. Deri dje taksohej me 10 përqind, sot do të taksohet, kur ta aprovojmë, me 15 përqind”, shprehej Ahmetaj.

Presidenti në dekretin e tij ngre një tjetër shqetësim që ka lidhje me zhvillimin që ka marrë industria e lojërave të fatit në shqipëri duke shkaktuar probleme sociale dhe ekonomike për mijëra familje.

“Miratimi i nenit 6 të ligjit nr.39/2018, është në kundërshtim me përmbushjen e objektivave social të shtetit shqiptar, bie ndesh me frymën e legjislacionit në fuqi, në funksion të dekurajimit të aktivitetit të biznesit në industrinë e lojërave të fatit, si dhe krijon premisë për shtimin e fenomeneve negative që cenojnë familjen shqiptare. Modeli i biznesit të lojërave të fatit nuk rezulton me vlerë të shtuar për shoqërinë, por përkundrazi zgjerimi i këtij aktiviteti në treg sjell rrezik potencial për varfërimin e ekonomisë familjare dhe krijimin e dramave sociale”, thuhet në dekret.

Në fakt ligji nuk merret drejtpërdrejt funksionin e lojërave të fatit në vend. Por sipas ministrit të Finacave qeveria do zbatojë një plan për heqjen e lojërave elektronike jashtë zonave urbane dhe reduktimin e pikave të basteve.

“Në 1 janar nuk do të ketë më në qytet kazino elektronike. Rrallimit të zyrave të basteve, një në 200 metra”, tha Ahmetaj.

Përplasja mes qeverisë dhe presidencës ka vazhduar edhe pas me rrëzimit të dekretit në komisionin e ekonomisë.

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi tha institucioni i Presidentit nuk ka patur asnjë njoftim apo ftesë për këtë shqyrtim. Institucioni i Presidentit nuk i lëviz asnjë presje qëndrimit për këtë çështje, të bërë edhe publik. Përgjigja erdhi një ditë më vonë nga kryetari i komisionit te ekonomisë Erion Brace, i cili tha se është zbatuar rregullorja e Kuvendit për shqyrtimin e dekreteve të presidentit.

Përtej replikave, problemi kryesor me kumarit sot nuk është ligji i ri, por mësymja e krimit, evazioni fiskal, qarkullimi i parave të pista dhe përfshirja e zyrtarëve të lartë në interesat e kësaj industrie. Një gangrenë të cilën qeveria u zotua se do t’i jepte fund, por që në fakt është zgjeruar frikshëm, me një faturë jo të vogël për publikun.

11 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)