Kulturë Vladimir Myrtezai: Greg Rama në një komunikim të pamundur

Vladimir Myrtezai: Greg Rama në një komunikim të pamundur

874
SHPËRNDAJE

Kuratori i ekspozitës Fidem, me autor Greg Ramën e quan këtë ekspozitë një stacion të rëndësishëm në karrierën e artistit të ri. “Besim, komunikim i hapur dhe afrimitet është një trekëndësh që shënjon një territor të personalizuar për artistin e ri Greg Rama, i diplomuar pak vite me parë në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Si përpara çdo subjekti, në trokitjet e para për t’u identifikuar, autori i kësaj ekspozite shpall sfidën e tij për të dalë përpara publikut, duke na kujtuar kështu ngërçin e madh të hapit të parë që përjeton çdo artist “, shkruan Myrtezai në tekstin kuratorial.

Sipas tij, përsos trashëgimisë familjare, ai përballet po aq edhe me nevojën për një stacionim të mendimit dhe aktit krijues, duke i besuar më shumë ndijimeve dhe përvojave personale si conditio sine qua non për krijimtarinë.

Besimi i hapur mbi çfarë mund të gjente në korrentet e eksperimentit shoqëruar me një intuitë premtuese që e lidh artistin me shenjën, tingullin dhe dendësinë e formës me të cilën afrohet, i hapin atij një rrugë të qenësishme ku përfshihet të besojë. “Përmes lojës me hapsirën ai ndërton një ekuilibër mes konceptit dhe trupëzimit të një energjie që e identifikon duke i hequr gravitetin arkitektonik mediumit, duke përdorur po aq edhe një lloj transfigurimi thjeshtëzues drejt trajtave elemntare e parake.

Pika, vija, rrafshi, mungesa e gravitetit bashkërendohen për të (ri)lexuar konceptin e një ndërhyrje hapësinore, jo më si një ngjarje lineare, por me asociime qëndrimesh të aksidentuara e vertikale, duke na afruar atë përvojë që mund ta quajmë vëllim i shformuar elementesh ose energji e kulluar pastër”, shkruan Myrtezai. Më tej ai shkruan: Perceptimi është i pakohë dhe larg analizës së zhvendosur në kohë, sepse koha në këtë rast ekziston vetëm si një element i qëruar nga rrethanat tipizuese, duke shfrytëzuar ecejaket e një ndjeshmërie të veçuar”.

I vetëmjaftueshëm në elemente krejt të thjeshtë por shumë pranë një sinkroni energjish që zhbën narrativën apo rrethanën site-specific, autori krijon veprën dhe gjuhën e saj në të njëtën kohë. Greg Rama ka një shprehi të “lindur”, në afri me fjalën, të shkruarit dhe komunikimin; ndaj dhe shfaqja e tij e parë nën kupolën Fidem – “Besim”/“Vërtetësi” përvijon një lëvizje komunikuese nëpërmjet një mediumi i cili përfshin hapësirën ku ai zhvendos strukturën e tij.

Fuqia e interpretimit dhe e asociimit krijon një territor kulturor të ndërmjetëm ku frymon ndjeshmëria e artistit. Autori e ndien veten në rrokullimat e shpeshta mohuese, aq domethënëse për një artist në rritje, për të hapur kështu rrugën e tij, që tanimë i duhet ta ndajë edhe me publikun, si një mundësi për të rimenduar dhe riparë sheshpushimet si akte ndikimesh të panjohura apo të rishikuara artistike.

Greg Rama vjen si një komunikim i pamundur i gjithë atij monologu të brendshëm e kaotik që së shumti nuk ndahet drejtpërdrejt por i kamufluar përmes gjuhës së ndërmjetësuar të artit. Dalja e tij e parë në publik është pikënisje e këndvështrim i hapur që do të mundësojë hapjen e tij të radhës në kurajën e parashikimet e ndërgjegjes së tij si artist në një rrugë të gjatë e të vështirë”, shkruan Myrtezai. Ekspozita do të hapet më 13 shtator në Galerinë Fab.

11 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)