Kryesoret Humbja e kombëtares, Duka mbrojtje dhe apel Panuccit: Reflekto!

Humbja e kombëtares, Duka mbrojtje dhe apel Panuccit: Reflekto!

145
SHPËRNDAJE

Humbja 2-0 me Skocinë ka shkaktuar reagime të shumta kundër trajnerit të kombëtares Cristian Panuçi, me opinionin publik që e bën fajtor italianin për paraqitjen e dobët në “Hampden Park”, por edhe miqësoret me Kosovën dhe Ukrainën pak muaj më parë.

Pasi kaluan dy ditë nga disfata skoceze dhe analiza bëhet pa emocione, për situatën e krijuar me kombëtaren ka reaguar edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, që kërkon maturi në gjykim.

“Sapo kemi nisur një turne të ri dhe kemi luajtur dy ndeshjet e para. Kemi marrë tri pikë dhe pësuam humbjen e parë të hënën në mbrëmje në Gllasgou. Një humbje nuk duhet trajtuar si një tragjedi. Kemi patur mundësitë tona, por që nuk i shfrytëzuam, ashtu sikurse edhe difektet, që jam i bindur se trajneri i ka tashmë pikë referimi. Jemi në gjysmë të rrugës, me pikë të barabarta me rivalin. Na pret në tetor një transfertë e vështirë në Izrael. Të gjithë ne, duhet t’i japim kohën e mjaftueshme trajnerit për të bërë ndryshimet dhe reflektimet e duhura në skuadër”, shkruan Duka në rrjetin social Instagram.

Sipas tij rrugëtimi në Nations League sapo ka nisur dhe trajnerit duhet t’i jepet koha të reflektojë dhe të korrigjojë gabimet që ka bërë. Duka gjithashtu nënvizon se ka shumë kritika që po bëhen për qëllime aspak sportive, por burojnë nga llogoret.

“Koha e llogoreve nuk vlen për askënd. Kritikat janë normale për një skuadër kur ajo humbet. Por kur këto bëhen për interesa josportive, nuk i shërbejnë askujt. Unë mirëkuptoj çdo shqetësim të tifozëve tanë apo çdo artikulim mediatik, por njëherësh i ftoj që këtë situatë jo të mirë ta shndërrojnë duke shpenzuar energji pozitive për kombëtaren tonë!”, thekson kreu i FSHF-së.

12 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)