Botë Palestinezët dhe izraelitët, të pakënaqur nga Marrëveshja e Oslos

Palestinezët dhe izraelitët, të pakënaqur nga Marrëveshja e Oslos

99
SHPËRNDAJE

Në shtator të vitit 1993 njerëzit në Izrael dhe territoret palestineze festonin me shpresën e sapofituar se brenda pesë viteve do të kishin një marrëveshje paqeje të përhershme. “Ne ishim duke ëndërruar, ne ishim duke luftuar”, thotë Munther Amira, një aktivist palestinez tani në të 40-tat. “Ne donim paqe dhe të kishim shtetin tonë si çdo komb tjetër, të vendosnim vetë. Ne menduam se Oslo do i bëjë të gjithë këto gjëra për ne.”

Oslo, shkurtimi për Marrëveshjen e Oslos, ndërmjetësuar nga Norvegjia dhe nënshkruar më 13 shtator 1993 midis qeverisë izraelite dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës, PLO, krijoi kuadrin për të zgjidhur konfliktin izraelito- palestinez. Në bazë të marrëveshjes u krijua një qeveri e përkohshme palestineze, Autoriteti Kombëtar Palesinez (PA) dhe u inicua tërheqja e Forcave Mbrojtëse Izraelite (IDF) nga Gaza dhe Xheriko, në Bregun Perëndimor të Lumit Jordan.

Oslo ishte vetëm për pesë vjet, vite gjatë të cilave do të negociohej një zgjidhje permanente që do të merrte parasysh refugjatët palestinezë, kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor, çështjen e Jeruzalemit si dhe kufijtë përfundimtarë dhe angazhimet për çështjet e sigurisë. “Ne menduam se do të kishim paqe. Ne festuam Oslon kur ishim të rinj, dhe filluam planet për të ardhmen tonë, sepse do të kishim paqe në këtë vend, dhe do të kishim zgjidhjen me dy shtete,” thotë Amira.

Duke punuar si zyrtar i lartë i shtetit në zyrën e kryeministrit izraelit, Emanuel Shahaf, ndjeu shpresën që u përhap në gjithë Izraelin. “Njerëzit ndjenë vizionin që gjërat do të fillonin të ndryshonin, dhe më në fund po shkonin diku,” i tha Shahaf Deutsche Welles.

Njëzetë e pesë vjet më vonë dhe konflikti Izrael Palestinë nuk është afruar me ndonjë zgjidhje, thotë Amira, “sepse ne nuk arritëm asgjë, përkundrazi.” Brezi i ri i palestinezëve e sheh sot Oslon si gabim.

Ahmed Abu Mofeed, një student sociologjie 23 vjeçar në Universitetin e Birzeit në Bregun perëndimor tregon pakënaqësinë e tij. “Është gjoja marrëveshje paqeje, por unë do ta quaja marrëveshje për të hequr dorë nga shpresa dhe historia jonë e gjatë e durimit,”.

12 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)