Sport “Sekreti” i Spanjës, ish-trajneri i Barçës me lojtarë të Realit!

“Sekreti” i Spanjës, ish-trajneri i Barçës me lojtarë të Realit!

209
SHPËRNDAJE

Një ish-tranjer i Barcelonës me bazë lojtarësh të Realit të Madridit. Kjo është, aktualisht, situata te Spanja, e cila ka filluar të frikësojë sërish, pas fitores 6-0 kundër Kroacisë. Një rezultat i thellë kundër finalistes së Botërorit të fundit, me iberikët që shkëlqyen e dukeshin në formën më të mirë, krejtësisht ndryshe nga ajo që shfaqën në verën e “ashpër” ruse.

Nëse në të kaluarën Spanja bazohej te Barcelona e tiki-takas, sot shumica e lojtarëve të “La Rojas” janë të Realit të Madridit. Po të kujtojmë botërorin e Afrikës së Jugut, ishin gjashtë lojtarë katalanë që zbrisnin në fushë: Puyol, Piqué, Busquets, Xavi, Iniesta dhe Pedro. Kundër ballkanasve, ishin pikërisht po gjashtë lojtarë, por që veshin fanellën “merengues”: Ramos, Carvajal, Nacho, Ceballos, Isco dhe Asensio. Në 2010-ën, të vetmit madrilenë ishin Casillas, Ramos e Xabi Alonso, ndërkohë që i vetmi futbollist “blaugrana”,  i cili luajti kundër Kroacisë, ishte Sergio Busquets.

Ndaj ekipit të Zlatko Dalicit u pa një Spanjë e papërmbajtshme, si ajo që pushtoi Europën e Botën nga viti 2008 deri në 2012-ën, ku fitoi 2 Europianë e Kupën e Botës. Për Luis Enriquen nuk ka rëndësi ku luajnë lojtarët, atij i intereson suksesi i Kombëtares.

12 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)