Ekonomi Rruga e Kombit, taksa për kuksianët u zgjidh me marrëveshje

Rruga e Kombit, taksa për kuksianët u zgjidh me marrëveshje

237
SHPËRNDAJE

Pak ditë para rifillimit të kalimit me pagesë në Rrugën e Kombit, drejtuesit e këshillit bashkiak të Kukësit thonë se kjo çështje nuk do jetë më pjesë e diskutimit në këshill pasi ajo u zgjidh me marrëveshjen me qeverinë.

Negociatat për vendosjen e një tarife të reduktuar për banorët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës, nisën pas protestës së dhunshme në pikën e pagesës në muajin mars, ku u shkatërruan sportelet pak ditë pasi nisën të funksiononin për mbledhjen e taksës prej 5 euro.

Kalimi me pagesë do nisë te hënën. Banorët e Kukësit do të paguajnë 100 lekë për një drejtim, më të varfrit nuk do paguajnë, ndërsa për udhëtarët e tjerë tarifa do të jetë e njëjtë, 5 euro apo 660 leke.

Pas protestës së dhunshme, qeveria nisi bisedimet si me koncesionarin, ashtu edhe me banorët për të gjetur një zgjidhje.

Efekti financiar nga ulja e taksës pritet të jetë i konsiderueshëm, duke ulur me disa milionë euro të ardhurat që mblidhen në stacionin e pagesës. Por këto para nuk do të paguhen nga koncesionari privat. Ato do të kompesohen plotësisht nga qeveria, përmes pagesave nga buxheti i shtetit, ashtu siç parashikohet në kontratën koncesionare.

Tarifa e kalimit në rrugën Durrës-Kukës u vendos për herë të parë në fillim të muajit prill në masën 5 euro për një kalim ose 10 euro vajtje ardhje. Në kontratën e koncesionit parashikohej që për banorët e zonës të kishte lehtësira, por vetëm 6 muaj pas hyrjes në fuqi të taksës derisa të identifikoheshin përdoruesit e shpeshtë. Kjo çoi në zemërimin e qytetarëve të Kukësit, të cilët dy ditë pas vendosjes së taksës protestuan duke djegur pikën e kalimit me pagesë.

13 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)