Kryesoret A po mbaron mandati i Sejkos? Juristët e Kuvendit njoftonin 3 nëntorin...

A po mbaron mandati i Sejkos? Juristët e Kuvendit njoftonin 3 nëntorin e 2018-s

159
SHPËRNDAJE

Përfundimi i mandateve për 6 anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ka ngritur edhe një pikëpyetje tjetër. Atë se, kur përfundon mandati i guvernatorit të Bankës së Shqipërisë?

“Kushtetuta nuk lë asnjë hapësirë për interpretim. Kushtetuta është shumë e qartë dhe nuk flet për mandat plotësues, as për ndonjë instrument tjetër. Kushtetuta flet për mandatin 7-vjeçar të guvernatorit në detyrë. Zoti Sejko është në detyrë dhe do të vazhdojë të qëndrojë aty deri në vitin 2022”, thotë Erion Braçe, kryetar i Komisionit të Ekonomisë.

Por, ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani thotë se zoti Sejko plotëson mandatin e ndërprerë të Ardian Fullanit, i cili u shkarkua nga Parlamenti në vitin 2014.

“Ligji për Bankën e Shqipërisë e thotë qartë. Ai apo ajo që hyn në mes të një mandati duhet të kryejë pjesën e mbetur të mandatit”, shprehet Ylli Manjani.

Sipas Manjanit, mandati i guvernatorit Sejko përfundon në nëntor të këtij viti, atëherë kur duhet të përfundonte mandati i ndërprerë i zotit Fullani.

“Mazhoranca aktuale mund të bëjë çfarë të dojë. Mund ta ndryshojë ligjin. Mund të bëjë, ku di unë, lloj-lloj hatarash, por ligji aktual që është në fuqi, që ne e kemi përdorur gjithë këto vite, është i qartë. Zoti Sejko kryen mandatin e zotit Fullani”, tha më tej Manjani.

Kjo nuk është pikëpyetja e vetme mbi mandatin e guvernatorit. Një dokument që disponohet nga Top Channel është lëshuar nga Departamenti Juridik i Kuvendit, pak kohë më parë, pas kërkesës zyrtare të një deputeti.

Siç duket qartë, Zyra Juridike e Kuvendit thotë se mandati i zotit Sejko plotëson atë të Ardian Fullanit dhe përfundon në nëntor të këtij viti, pra pas dy muajsh.

Kjo është një çështje, që me sa duket do të hapë një debat jo të vogël ligjor, por edhe kushtetues. Përplasja ligjore komplikohet edhe më shumë nga fakti që mungon Gjykata Kushtetuese, e cila do ta zgjidhte ngërçin me interpretim kushtetues.

Pas largimit të FMN-së, Banka e Shqipërisë mbetet institucioni i vetëm që ruan ekuilibrat ekonomikë të vendit nga tundimet politike të qeverisë. Paqartësitë për mandatin e guvernatorit mund ta dobësojnë Bankën përballë presioneve të mundshme politike, një situatë të cilën Shqipëria e ka provuar edhe më parë, jo pa kosto.

14 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)