Sport Është mbipeshë, presidenti i Nices gjobit Balotellin

Është mbipeshë, presidenti i Nices gjobit Balotellin

81
SHPËRNDAJE

Kilogramët e tepërt të rëndojnë edhe në portofol. Mario Balotelli, i cili u vu në qendër të kritikave pasi ishte paraqitur mbipeshë në stërvitje me Nicen, tashmë duhet të paguajë një gjobë për sjelljen e tij aspak profesioniste. E zbulon presidenti i klubit francez, Jean-Pierre Rivère, në një intervistë për “Matin”, por pa e thënë shumën.

“Mario doli vetë jashtë loje. Nica nuk bën diferencime mes futbollistëve, kështu që është gjobitur. Gjithsesi kam besim se do të zhvillojë një sezon të madh, sepse ne do ta sjellin në formë.”

Trajneri italian, Roberto Mancini, zbuloi se sulmuesi 27-vjeçar ishte paraqitur në Coverciano për ndeshjet e kombëtares 99.7 kg, ndërsa më 17 korrik, kur ka nisur stërvitjen me Nice peshonte plot 103 kg. Një peshë e ekzagjeruar për një lojtar që është i gjatë 1.88 metra, për të cilin pesha optimale konsiderohet 88 kg. Presidenti i Nice më pas zbuloi se për t’i rinovuar kontratën i ka rritur pagën, ndaj dhe dështoi transferimi te Marseille.

“Në rinovimin e kontratës për dy vjet vitin e kaluar kishim parashikuar ulje të pagës nëse nuk do të mund të kualifikoheshim në kompeticionet europiane. Mendonim se do të largohej, por ai qëndroi dhe ne i rritëm pagën. Një sulmues i nivelit të Balotellit kushton shtrenjtë. Gjithsesi, Mario fiton më pak se një vit më parë.”

14 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)