Botë Koretë drejt shuarjes së konflikteve, hapin zyrën e koordinimit

Koretë drejt shuarjes së konflikteve, hapin zyrën e koordinimit

60
SHPËRNDAJE

Koreja Veriut dhe fqinji i saj jugor kanë hapur zyrën e parë ndërlidhëse afër kufirit mes dy vendeve, me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve.

Ky vendim është marr vetëm një javë para mbajtjes së samitit të planifikuar mes liderëve të dy Koreve në Phenian.

Zyra e hapur në zonën kufitare, Kaesong të Koresë Veriore përbën vetëm një nga disa hapat e marrë mes dy vendeve, me synim pajtimin e tyre. Kjo zyrë është e para e llojit të saj, qëkur dy Koretë janë ndarë në fund të Luftës së Dytë Botërore më 1945.

Deri më tani, dy Koretë kanë përdorur telefonin dhe komunikimet e modelit të faksit kur kanë planifikuar takime apo kanë ndarë informacione.

Mirëpo edhe këto kanale shpesh janë pezulluar për shkak të tensioneve të lidhura me programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Në një ceremoni hapëse në Kaesong, ministri i Unifikimit të Koresë së Jugut, Cho Myoung-gyon ka thënë se zyra do të bëhet “djep i prosperitetit korean”.

“Do të ulemi ballë për ballë, do të këmbejmë mendimet tona dhe do të diskutojmë bashkë për të zgjidhur çështje të vështira”, është cituar të ketë thënë ai.

14 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)