Ekonomi “Perëndimi” i medias së shkruar. Gazetat raportojnë humbje të mëdha

“Perëndimi” i medias së shkruar. Gazetat raportojnë humbje të mëdha

128
SHPËRNDAJE

Shtypi i shkruar në Shqipëri pësoi një rënie të të ardhurave prej 9% në vitin 2017. Rrjeti i gazetarëve investigativë të Ballkanit, BIRN ka analizuar bilancet e publikuara në QKB të operatorëve kryesorë të tregut.

Gazeta më e madhe në vend, “Panorama” pësoi një rënie me 10% dhe viti 2017 ishte i dyti radhazi me rënie – thotë BIRN, – kurse “Gazeta Shqiptare” ra me 24%.

Gazeta “Shekulli” është po ashtu me rënie të konsiderueshme, kurse të përditshmet “Tema” dhe “Dita” kanë raportuar rritje të të ardhurave. Me rritje është edhe revista e përjavshme “Monitor”.

Por, në total, të dhënat tregojnë se për 8 operatorët kryesorë të tregut, të ardhurat zbritën nga 551 milionë lekë në vitin 2016, në 499.6 milionë lekë në vitin 2017.

Gazetari Gjergj Erebara, i cili ka bërë studimin, thotë se rënia e shtypit të shkruar është e lidhur me rënien që ka pësuar ekonomia në përgjithësi.

“Të gjitha tregjet kryesore të vendit janë në tkurrje. Nuk është se ka pasur një lulëzim ekonomia. Shtypi normalisht është goditur më shumë sesa të tjerët. Nëse sheh edhe tregun e telekomunikacioneve, të televizioneve dhe publiciteteve, treguesit e përgjithshëm të konsumit të popullsisë nuk kanë rritje, ka stanjacion. Ndaj, kjo është pjesë e përgjithshme e tregut”, shprehet Gjergj Erebara, gazetar i BIRN-it.

Faktori i shtimit të medieve “online” është pa peshë, sipas Erebarës, e problemi qëndron se shtypi më shumë i shërben politikës sesa interesave të qytetarëve.

“Ka pasur shumë parà politike në tregun e medies, por këto parà politike nuk i interesojnë aq shumë lexuesit, sesa i intereson propaganda vet. Kur ka parà politike, lexuesit normalisht nuk janë të paditur, ndaj refuzojnë ta lexojnë atë produkt. Nuk prodhojnë informacione që i interesojnë lexuesit, ndërsa lexuesi nuk lexon më gazetat që bëjnë propagandë”, deklaroi më tej Gjergj Erebara.

14 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)