Kulturë Shkenca shqiptare i bashkohet kërkimeve avangarde mbi prejardhjen e matematikës

Shkenca shqiptare i bashkohet kërkimeve avangarde mbi prejardhjen e matematikës

239
SHPËRNDAJE

Kërkimeve historike të shumë shkencëtareve mbi prejardhjen e matematikës u bashkohet dhe studimi i profesor Fejzi Kolanecit, i cili renditet në anën e shkencëtarëve që gjejnë një lidhje mes universit dhe matematikës. Ky studim ka ardhur në librin “Misteret e matematikës” nga botimet UET PRESS. Libri pati promovimin në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës ku merrnin pjesë autoritete të fushës.

Për drejtoren e botimeve UET PRESS Alda Bardhyli, e bën kërkimin shkencor shqiptar avangard pasi profesor Kolaneci jo vetëm analizon 20 figura themeltare të historisë së shkencës mbi pikëpamjet e tyre mbi origjinën e matematikës por dhe jep pikëpamjet e tij mbi lidhjen e matematikës me universin. “Profesor Kolaneci është përpjekur në këtë vepër të tij të bëjë një paraqitje të ideve filozofike mbi shkencën e matematikën, duke ndërthurur brenda librit të tij pikëpamje nga ato që besojnë se Perëndia e krijoi matematikën para se të krijonte Adamin dhe Evën, apo se ishte Perëndia ajo që futi disa sekrete brenda në objektet, konceptet, aksiomat dhe marrëdhëniet matematike, të cilat nuk mund të zbulohen plotësisht nga njerëzit, por mund të njihen pjesërisht prej tyre”, u shpreh profesor Përparim Fuga.

Sipas tij autori përpiqet të tregojë se matematika ndërtohet (u ndërtua) në botën ideale (abstrakte) dhe zbatohet (përdoret) në botën materiale. “Këto dy botë janë të ndryshme, e prandaj edhe zbatimi i matematikës në botën materiale shoqërohet me pasiguri informative. A mos vallë është kjo arsyeja pse shpesh duket se arsyetimi dhe vërtetimi matematik janë një dhuratë e Perëndisë për njerëzit? Vërtetësia e pohimit “matematik”, ose “vërtetësia e teorisë matematike”, thënë më shkurt “e vërteta matematike”, duhet të kënaqë Kriterin e Praktikës, sipas të cilit pohimi matematik duhet të harmonizohet me të dhënat faktike të eksperimenteve, matjeve ose vrojtimeve të kryera, me kusht që këto eksperimente, matje ose vrojtime të jenë të ndershme (të pamanipuluara), të besueshme, të sinqerta dhe pa gabime”, thotë Fuga.

Në libër paraqiten edhe pikëpamjet e një vargu mendimtarësh, shkencëtarë të shquar në shekuj si Plato, Arkimedi, Neëtoni, Gaussi, Ajnshtaini e deri në emra të shquar të ditëve tona, që trajtojnë raportet mes matematikës dhe realitetit, si dhe të rolit të Perëndisë në lidhje me këtë shkencë vërtet hyjnore, në bazament të të gjitha shkencave të tjera. Profesor Fejzi Kolaneci (1940), është profesor në Matematikë dhe lektor i njohur në një sërë universitetesh shqiptare dhe jo vetëm. Ai për një periudhë disavjeçare ka shërbyer si profesor i matematikës në Universitetin e Neë York-ut në Tiranë.

Më parë ka punuar si sekretar shkencor në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, në Universitetin e Tiranës dhe në disa universitete ose institute kërkimore–shkencore të huaja, mes të cilëve renditen Universiteti i Moskës, Universiteti i Oksfordit, Shkolla Normale Superiore e Pisas, Instituti i Bashkuar i Kërkimeve Bërthamore të Dubnas në Rusi etj.

Profesor Kolaneci ka kontribut shkencor në Teorinë e Ekuacioneve Diferenciale Jolineare Stokastike me Derivate të Pjesshme dhe Zbatime të tyre, në Analizën Funksionale, në Teorinë e Probabilitetit dhe Statistikën Matematike, në Teorinë e Lojës, në Metodat Numerike etj. Profesor Fejzi Kolaneci është anëtar i Akademisë Europiane. Ai ka referuar ose publikuar shumë studime në kongrese ose Konferenca Shkencore Ndërkombëtare ose në revista shkencore ndërkombëtare.

14 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)