Opinion TË HETOHEN PASURITË E FAMILJARËVE TË POLITIKANËVE?

TË HETOHEN PASURITË E FAMILJARËVE TË POLITIKANËVE?

202
SHPËRNDAJE

Në  Indeksin e Korrupsionit – 2017 të Transparency International për 180 vende të botës, rajoni i Ballkanit Perëndimor rezulton me nivel të lartë korrupsioni. Në një sistem vlerësimi nga 0 në 100 pikë, ku sa më të ulta pikët aq më i lartë korrupsioni, Maqedonia ka marrë 35 pikë,  Shqipëria  dhe Bosnjë-Herzegovina 38, Kosova 39, Serbia 41 dhe Mali i Zi 46 pikë. Fjala është për korrupsion në sektorin publik dhe në politikë. Maqedonia rezulton vendi me korrupsionin më të lartë në rajon, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina dhe  Shqipëria, që kanë të njëjtin nivel korrupsioni.

Reforma në Drejtësi: Hetim për politikanët në 25 vitet e fundit

Për më shumë se dy dekada qytetarët në Shqipëri janë bombarduar me cilësime të palëve politike kundërshtare për një administratë publike të korruptuar, abuzuese me fondet publike, të lidhur me krimin e organizuar. Për më shumë se dy dekada zyrtarë dhe politikanë të  lartë janë stigmatizuar si të korruptuar, hajdutë, mafiozë, vrasës. Asnjë prej tyre nuk është përballur me drejtësinë, asnjë prej tyre nuk ka marrë fajësinë apo pafajësinë nga Gjykatat. Të sigmatituarit dhe të përfolurit vazhdojnë të jenë sot e kësaj dite në politikë dhe t’i japin karburant akuzave të ndërsjellta të dy palëve politike kryesore, PS dhe PD.

Reforma në Drejtësi sjell shanse që kjo situatë të ndryshojë një herë e mirë. Shtylla kurrizore e kësaj reforme, vettingu i gjykatësve dhe prokurorëve, është në përfundim e sipër. Ai ka nxjerrë jashtë sistemit gjykatës dhe prokurorë, që nuk kanë justifikuar pasuritë e tyre. Në javët që vijnë nga gjykatësit dhe prokurorët, që mbetën në sistem, do të zgjidhen anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Byroja Kombëtare e Hetimit, sipas modelit të FBI, dhe Struktura e Posaҫme Antikorrupsion, (SPAK)janë dy strukturat e tjera kushtuetuese që pritet të fillojnë nga puna pas disa javësh. Qëllimi i tyre është të hetojnë politikanët dhe t’i ndëshkojnë, kur ata rezultojnë të korruptuar ose të lidhur me krimin e organizuar, deri në dënim me burg. Hetimet do të shtrihen edhe në pasuritë e familjarëve të tyre. SPAK, sipas kushtetutës, do të merret me dhënien e verdiktit për korrupsion të zyrtarëve të  lartë publikë, politikanëve dhe familiarëve të tyre.

Kryeminisri Rama shkroi të mërkurën(12.09.2018)në median sociale: “Kush nuk e qeveris vendin me prioritet për ta ҫuar përpara, duhet jo vetëm të mos zgjidhet më, por t’i hiqet dhe sekustrohet e gjithë pasuria që ka vënë gjatë këtyre 30 viteve.” I gjithë procesi po monitorohet nga BE dhe SHBA dhe po mbështetet fuqimisht me ekspertizë nga Gjermania.

Nismë e re e PD: Ndryshime kushtetuese për vettingun në politikë

Një lëvizje e kohëve të  fundit të opozitës së kryesuar nga PD kërkon të bëjë sa më parë vettingun në politikë, pa pritur funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK. Një projektligj i depozituar këto ditë, në Parlament kërkon ndryshime Kushtetuese për të kryer vettingun në politikë. Në thelb të tyre është krijimi i mekanizmave të reja kushtetuese që nxjerrin jashtë loje Byronë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK.

PD e quan projektligjin në fjalë fazën e dytë të ligjit të dekriminalizimit, të miratuar në 2015, që nxorri jashtë Parlamentit deputetët e inkriminuar. Por PD mendon se ata janë zëvendësuar tani  në maxhorancën aktuale në Parlament citoj “me të deleguarit e tyre,” që duhet të largohen pikërisht me vettingun në politikë që ajo propozon.

PD: Vettingu i politikanëve, akt administrativ pastrimi, jo ndëshkim

Në projektligjin e PD nuk bëhet fjalë për ndëshkim, por vetëm për largim nga politika të politikanëve të korruptuar apo të lidhur me krimin e organizuar. Sipas PD vettingu në politikë nuk është drejtësi por një akt administrativ, një veprim pastrimi që largon nga politika ҫdo politikan të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Projektligji i PD kërkon nuk përmend hetimin e pasurive të familjarëve të politikanëve.

PS mbështet nismën e PD për vettingun në politikë, por me një kusht: të përfshijë edhe pasuritë e anëtarëve të familjes së politikanëve dhe të kryhet nga institucionet e reja të reformës në Drejtësi. Por për PD këto institucione janë të kapura nga maxhoranca socialiste.

Miratimi i projektiligjit të PD për vettingun  në politikë kërkon shumicë të cilësuar, pra 84 vota. Maxhoranca socialiste e ka shprehur qëndrimin e saj: vettingun në politikë do ta bëjnë institucionet e reja kushtetuese të reformës në drejtësi, pa asnjë përjashtim dhe dallim, që kanë shanse të garantojnë fillimin e ҫmontimit të korrupsionit në politikë.

14 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com) / DW