Kryesoret Veliaj: Nesër aksion pastrimi në gjithë kryeqytetin

Veliaj: Nesër aksion pastrimi në gjithë kryeqytetin

58
SHPËRNDAJE

Tirana do të jetë gati të hënën për të pritur nxënësit për vitin e ri shkollor. Krahas investimeve për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, të shtunën Tirana do të zhvillojë një aksion të gjerë pastrimi në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht pranë shkollave. Gjatë takimit me administratorët e njësive dhe drejtuesit e institucioneve nën varësi të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se është shumë e rëndësishme që ky aksion të jetë i suksesshëm, veç angazhimit të Bashkisë së Tiranës, duhet edhe pjesëmarrja dhe angazhimi i qytetarëve.

“Kryesisht fokusi rreth zonave të shkollës; nëse fëmijët e gjejnë pastër, do sillen pastër. Nëse fëmijët e gjejnë zhul, do imitojnë prindërit që e bëjnë shkollën e tyre zhul. Ne kemi marrë masat këto tre vite për të hequr të gjitha ndërtimet pa leje, por nëse dikujt i fanepset dhe improvizon një ndërtim, na njoftoni”, tha Veliaj.

Një vëmendje do të tregohet edhe për disiplinimin e shitjes së ushqimeve pranë shkollave. “Do jeni shumë të kujdesshëm me ambulantët pranë shkollave, rastin e shkollës “Vasil Shanto” ma përmendin të gjithë. Tregu ndodhet veç 50 metra nga shkolla, por tahmaja për të shitur te dera është e paprecedentë. Nuk ka asnjë arsye pse fëmijët duhet të bëjnë kërcim me pengesa në mëngjes. Nuk ka qytet në botë që është civilizuar duke u shtrirë njerëzit përtokë! Ambicia jonë është një qytet europian”, deklaroi ai.

Duke u ndalur tek fillimi i vitit të ri shkollor, Veliaj nënvizoi se shkollat e reja dhe ato ekzistuese që i janë nënshtruar rehabilitimit do të jenë gati në 17 shtator. Ai tha se Bashkia po punon deri në çastet e fundit edhe për rrugët dhe unazën e mesme, që do të jetë gati me nisjen e shkollës. “Sot jemi duke punuar në segmentet e fundit të unazës, që dita e parë e shkollës të na gjejë me unazën e mesme të strukturuar. Shkollat po bëhen gati, por edhe rrugët do të jenë gati deri të dielën në darkë. Kështu që, dua të falenderoj edhe kolegët që kanë kaluar gjithë verën pa pushime, që të siguroheshim që të kapnim këto afate, pavarësisht kapriçove të motit”, tha ai. Veliaj theksoi se pranë kryqëzimeve dhe shkollave do të jenë edhe grupe vullnetarësh, të cilët do të kujdesen që fëmijët që kalojnë të sigurtë rrugën.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se banorët e lagjeve periferike të Tiranës urbane, kryesisht në zonën e Freskut, Unazës së Madhe në Kashar dhe në zonën e Selitës në Farkë, nuk do të humbasin më kohë apo të udhëtojnë gjatë për të marrë një shërbim në zyrat e njësive administrative. Kjo pasi nga ky shtator, kryeqytetit i janë shtuar tre lagje të reja si pjesë e zonës urbane, të cilat do të emërtohen “Lagjja 12”, “Lagjja 13” dhe “Lagjja 14”. “Ne duam të investojmë tek Fresku, tek pjesa e liqenit të Thatë, tek Astiri, por duhet të dimë sa njerëz ka dhe proporcionalisht, sipas banorëve, të shkojë realisht edhe buxheti i Bashkisë dhe investimet për nevojat që kemi”, deklaroi ai.

Ai shtoi se së shpejti do të bëhet edhe një amendim në ligjin “Për gjendjen civile”, i ndryshuar, për të krijuar një amnisti të re të përkohshme për pezullimin e masës së gjobës për mosdeklarim të vendbanimit. Në këtë mënyrë, qytetarët do të kenë mundësi që të regjistrohen aty ku kanë edhe adresën e tyre të saktë të banimit. “Jemi duke punuar për një amendim, i cili ka kaluar në Këshillin e Ministrave, i cili do të krijojë një amnisti, pra për ta bërë transferimin pa gjobë të qytetarëve nga vendi ku kanë letrat tek vendi ku realisht banojnë”, tha Veliaj.

Ndërkohë, ndryshe nga herët e tjera, kur votohej nëpër lokale apo vende aspak të përshtatshme, zgjedhjet e ardhshme vendore në Tiranë do të jenë model. Kryebashkiaku kërkoi prej administratorëve dhe të gjitha institucioneve të tjera vendore që të merren masat e duhura për të përgatitur infrastrukturën e duhur zgjedhore, në mënyrë që zgjedhësit të votojnë të lirë dhe në kushte sa më të mira, për të evituar shfaqjet aspak dinjitoze të zgjedhjeve të mëparshme.

“Detyrë e Bashkisë së Tiranës është edhe përgatitja e zgjedhjeve vendore dhe nuk dua të ndodhë ajo që ndodhte me bashkinë e kaluar, ku njerëz votonin nëpër lokale e mejhane. Kemi afërsisht një vit kohë, duhen piketuar zonat që tani, ambientet; shfrytëzoni edhe shkollat e reja, që dita e votimit të jetë model. Harrojeni që unë jam një ndër kandidatët. Ne duhet ta bëjmë sa më të lehtë votimin, që secili të ketë akses në një qendër të afërt dhe dinjitoze, jo tek pijaneci i lagjes”, vijoi Veliaj.

14 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)