Opinion 10 VJET PAS KRIZËS FINANCIARE, KUR DO VIJË TJETRA?

10 VJET PAS KRIZËS FINANCIARE, KUR DO VIJË TJETRA?

162
SHPËRNDAJE

Falimentimi i bankës së madhe amerikane, Lehman shkaktoi krizën më të madhe financiare në botë. 10 vite më pas ekonomia e SHBA rritet, por ekonomistët thonë: Kujdes, shkëlqimi është i rremë

Dhjetë vjet kanë kaluar qëkur flluska gjigande e tregut amerikan të pasurive të paluajtshme u shpërbë në ajër duke sjellë një recesion të vështirë ekonomik dhe financiar. Tregu i aksioneve u fut në krizë, rreth 7 bilionë dollarë të aksionerëve u „dogjën” sikur nuk kishin ekzistuar ndonjëherë, brenda dy vitesh rreth 9 milionë amerikanë humbën punën. Taksapaguesi amerikan pagoi faturën, ligjvënësit reaguan me ligjin e ashpër  „Dodd.Frank-Act”, që i vuri frerët botës së financave. Bankat pompuan para në tregje dhe i ulën normat e interesit në zero. Shpresa –  firmat do të merrnin kredi të lira për të investuar, konsumatorët do të vazhdonin të konsumonin, kështu do t’i jepej hov i ri ekonomi

Shkëlqim i rremë

Gjendja ka ndryshuar: Tani ekonomia amerikane u rrit në katërmujorët e fundit me rreth 4%, firmat amerikane njoftojnë për fitime rekord, tregu amerikan njofton gati punësimin e plotë, kurset në Wall Street aksionerët ndjekin njërin rekord pas tjetrit. Dy koncerne amerikane e kanë shkelur vlerën e lartë të tregut me nga një 1 bilion dollarë, Apple dhe Amazon. Barometri për konsumatorët shënon tregues mjaft optimistë. Presidenti amerikan, Donald Trump gëzohet për këto „rezultate të jashtëzakonshme” në Twitter.

Borxhe rekord

Por ka edhe një anë tjetër të medaljes. Përmes politikës së parasë së lirë mali i borxheve globale të ekonomive shtëpiake, firmave dhe shteteve është rritur nga fillimi i krizës deri në vitin 2017 me 74% duke kapur një vlerë rekord 247 bilionë dollarë. Kapaciteti ekonomik i SHBA arrin 19 bilionë dollarë. Sipas „Institute of International Finance” mali i borxheve është rritur me 11% krahasuar me vitin e kaluar. Italy Goldstein nga Universiteti i Pensilvanisë për Financat thotë se ka një lidhje mes mbinxehjes së tregut të kredive dhe një rënieje ekonomike si pasojë.

Politika e normës zero të interesit ka pasur edhe një efekt tjetër. Ajo i bën edhe më atraktive obligacionet me rrezikshmëri të lartë që ofrojnë rendite të larta. Ato quhen Junkbonds. „Sa më shumë që ecën përpara ekonomia, aq më optimist dhe të gatshëm për rreziqe bëhen aksionerët,”, thotë Goldstein.

Kosto të larta financimi për bizneset

Malet e larta të borxheve bëhen të rrezikshme atëherë kur shtohet pamundësia për t’i kthyer ato. Dhe kjo po bëhet e mundur, sepse normat e interesit po fillojnë të rriten si për momentin. Shumicën e borxheve firmat do të duan ta shlyejnë duke marrë borxhe të reja, me një nivel të ri më të lartë të normës së interesit, kjo i rrit shpenzimet e tyre. Kësaj i shtohet që edhe për konsumatorët rriten normat e interesit, për kreditë për shtëpi apo makinë. Në rast nevoje ata e shtrëngojnë rripin dhe ulin shpenzimet. Paraja mbetet nën jastëk dhe nuk shkon në arkat e firmave. Një barrë e dyfishtë – sepse nuk rriten vetëm shpenzimet, por bien edhe të ardhurat.

Kështu kësaj here nuk kanë për të qenë problem bankat. „Ato janë të mirërregulluara që nga koha e krizës”, thotë Susan Lund, autore e studimit të McKinsey për borxhet globale. Ekonomistët paralajmërojnë se një kombinim i rritjes së normave të interesit, mundësisë së rënies së kërkesës nga konsumatorët dhe një konjunkture të lodhur mund të kthehet në një problem për një krizë të re.

Edhe në tregun e aksioneve shtohen rreziqet përmes futjes gjithnjë e më të thellë në borxhe. Sepse firmat me paratë e huazuara kanë bërë vetëm një gjë – kanë blerë aksionet e tyre. Riblerja e aksioneve ka arritur nivele rekord aktualisht. Kjo i shpjegon çmimet e larta në Wall Street, sepse firmat po rrisin vetë kërkesën për aksionet e tyre.

Një cikël përmbyllës si gjithmonë?

Kjo fazë qetësimi aktualisht është e dyta për nga jetëgjatësia në historinë amerikane. Por ekonomia rritet dhe bie në mënyrë ciklike, thonë ekonomistët. Njëri prej tyre është Lakshman Achuthan, themelues i institutit „Economic Cycle Research Institute”. Pas një krize si ajo e vitit 2008 pasojnë norma të ulta interesi. Konsumatorët, shtetet, firmat marrin kredi të lira, malet e borxheve rriten, ekonomia rritet. Për të penguar mbinxehjen e ekonomisë për shkak të inflacionit, bankat qendrore rrisin normat e interesit. Cikli mbyllet. Achuthan thotë, se përpara ekonomisë amerikane ndodhet një periudhë ftohjeje. Investitori miliarder Ray Dalio, themelues i fondit më të madh botëror, Hedgefunds Bridgewater i jep të drejtë. Ekonomia amerikane ndodhet pak para një flluske të re, është shprehur ai.

17 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)