Sport Higuain “hajmalia” e Milanit, ‘Ok’ Arsenali dhe Leverkuseni

Higuain “hajmalia” e Milanit, ‘Ok’ Arsenali dhe Leverkuseni

81
SHPËRNDAJE

Gonzalo Higuain shënon golin e parë me Milanin në Europa League. Sulmuesi argjentinas shënoi golin e vetëm që u dha tri pikë kuqezinjve përballë modestëve të Dudelange, në ndeshjen e Grupit F.

Në fakt, paraqitja e formacionit të Gattusos përballë një ekipi që luan për herë të parë në Kupat e Europës nuk është se merr vlerësime fort pozitive, gjithsesi ajo që ka më shumë rëndësi për Milanin është fitorja. Në sfidën tjetër të këtij grupi Olympiakosi barazoi pa gola me Betisin.

E nisi bindshëm fazën e grupeve të Europa League-s edhe Arsenali, që mposhti 4-2 Vorskla Poltavën. Aubameyang realizoi dygolësh, ndërsa Welbek dhe Ozil shënuan dy golat e tjerë për “Topçinjtë”. Chesnakov dhe Sharpar shkurtuan në 4-2 diferencën, për të bërë më pak të rëndë disfatën. Po në Grupin E Sportingu i Lisbonës iu imponua 2-0 Qarabagut. Në këtë takim Ansi Agolli ishte në stol.

Në Grupin A Bayer Leverkusen mori një fitore të madhe 2-3 në fushën e Ludogorets. Ekipi bullgar kryesonte 2-0 në pjesën e parë, por Hervert me dygolësh dhe Thelin përmbysën gjithçka për tri pikët e para të “aspirinave”. Në të njëjtin grup Zyrihu fitoi 0-1 në fushën e AEK Lanarcas.

Në Grupin B vëmendja ishte për përballjen me Leipzigut dhe Salzburgut, që përfundoi me fitoren 2-3 të skuadrës austriake, ndërsa Celtic Glasgow u mjaftua me suksesin minimal ndaj Rosenborgut. 

Në Grupin C feston Slavia e Pragës, që iu imponua 1-0 francezëve të Bordeaux, ndërsa Kopenhageni barazoi 1-1 me Zenitin.

Fitore e madhe e Dinamos së Zagrebit përballë Fenerbahces. Ekipi kroat triumfoi 4-1 në “Maksimir” në takimin e Grupit D, ndërsa Trnava i shkaktoi një humbje të papritur Anderlechtit me rezultatin 1-0.

20 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)