Sport Liverpooli i pandalshëm, por Salah ka humbur magjinë

Liverpooli i pandalshëm, por Salah ka humbur magjinë

138
SHPËRNDAJE

E çuditshme, por e vërtetë, Mohamed Salah, që magjepsi botën vitin e kaluar, tani është bërë hija e vetvetes. Egjiptiani edhe pse ka luajtur në botëror dhe me Liverpoolin këtë fillim sezoni, nuk është shfaqur ai që njohin të gjithë. Me kombëtaren mund të thuhet se nuk kishte shumë zgjidhje, duke marrë parasysh nivelin e vendit të tij dhe dëmtimin në shpatull, i cili dhemb ende sot, por sezoni i ri ka filluar prej një muaji e ish-lojtari i Romës e Fiorentinës nuk ka shfaqur më të mirën e tij, pavarësisht dy golave të shënuar në gjashtë ndeshje. Mirë, por jo mjaftueshëm, pasi tifozët janë mësuar ndryshe me të.

Ajo që i ka bërë tifozët të diskutojnë është reagimi i tij pas golit të fitores kundër PSG, i shënuar nga Roberto Firmino. Salah është filmuar duke hedhur shishen e ujit në tokë. Shpatulla e tij e dëmtuar në finalen e Kievit kundër Realit, pas ndërhyrjes së Sergio Ramos, është akoma e fashuar.

Kjo është një shenjë, e cila tregon se problemi nuk ka kaluar ende si në anën fizike dhe në atë psikologjike.

Tifozët me të vërtetë kanë kritikuar Salah, jo se ai po zhgënjen, por sepse ai është “ylli” prej të cilit “The Reds” presin shumë. Mbetet për t’u parë, nëse “Momo” do të kthehet ai i sezonit të shkuar, pasi do të ishte një ndihmë e madhe për Liverpoolin, që ende nuk ka humbur asnjë ndeshje për këtë sezon.

20 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)