Kulturë Në gjurmët e Gertrude Stein – fryma dhe moderniteti

Në gjurmët e Gertrude Stein – fryma dhe moderniteti

109
SHPËRNDAJE

Luan Rama

Një një nga librat e saj të shkruar në Paris në vitet ’20 të shekullit XX, Gertrud Stein (1878-1946) kishte shënuar: «Pashë një yll që ishte poshtë. Ishte aq poshtë sa ajo shndriste. Fryma ishte brenda saj…» Sigurisht një metaforë pasi Stein ishte e ndërgjegjëshme se në Paris, në vitet 1910-1930 ajo po bëhej një udhërrëfyse për shkrimtarët dhe artistët, duke i drejtuar ata drejt një letërsie dhe arti të ri, drejt modernitetit.

Ishte «fryma», ajo çka ishte e rëndësishme në të gjithë lëvizjen intelektuale e artistike të metropolit parisian dhe rrymave avanguardiste, nga dadaistët tek surrealistët, nga kubistët tek fovistët, apo krijimin e një letërsie të re…
Në 27, Rue Fleurus, në zemër të Parisit, në sallonin e dikurshëm të zonjushës Stein, tablotë e famshme të Delakrua, Renuar, El Greko, Manet, Gogen, Pikaso e Matis nuk janë më.

Tabloja e fundit që i mbeti zonjushës Stein deri kur vdiq ishte një tablo e Pikasos, e cila pas vdekjes së saj shkoi në «Metropolitan Museum». Të tjerat u shpërndanë para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore kur ato zbritën në jug të Francës. Një tablo të Pikasos, «Vajza me shportën me lule», Sten e shiti thjesht për të mundur të shtypte dy libra… Ç’fatalitet! Dhe ajo e dinte vlerën e madhe të asaj tabloje e po ashtu dhe dy vëllezërit e saj Leo dhe Michael, te cilët që para lufte u kthyen në Amerikë.

Sidoqoftë, të duket e habitshme dhe gati e pabesueshme që në sallonte e familjes Stein qëndronin të varura tablo mitike të piktorëve tët ë mëdhenj të botës, duke shtuar këtu dhe Degas, Lautrec, Gris, Bark dhe shumë tablo të të madhit Sezan, tablo që do tu referohej dhe ekspozita e famshme që u hap në Grand Palais të Parisit me titullin «Aventura e familjes Stein». Po, një aventurë unike, gjeniale pasi Gertrude Stein ishte një intelektuale që diti ti pararendë kohës, ashtu siç dinë të ecin vetë prekursorët, modernët.

Për këtë shtëpi është shkruar shumë në kujtimet e artistëve dhe letrarëve të ndryshëm francezë e botërore në vitet 10-’30 të shekullit XX. I ngjante një koshereje bletësh, ku mbretëresha ishte Gertrude Stein, ajo grua e zgjuar hebre, jo e bukur, e ardhur nga Pensilvania e Amerikës ku jetonin prindërit e saj dhe që ishte vendosur aty me të vëllain, Leo Stein, në vitet e para të shekullit, kohë kur Leo, ky admirues i madh i pikturës sapo kishte blerë një tablo të Paul Cezanne. Ishte viti 1907. Gertrud kishte studjuar për mjeksi por pasioni i saj ishin letërsia dhe artet figurative. Ajo ra në dashuri me sekretaren e të vëllait, amerikanen Alice Toklas, me të cilën jetoi deri sa vdiq.

Ishte koha kur filloi aventura e saj e artit dhe e dashurisë safiste apo lesbike, çka ishte e modës në fillimet e shekullit XX në Paris, veçanërisht me një grup feministesh të rretheve poetike të Safos greke. Në kujtimet e tij, Man Ray, fotografi i famshëm i surrealistëve kujtonte: “Që nga vizita ime e parë në shtëpinë e Gertrude Stein në Rue Fleurus, pak kohë pas mbërritjes time në Paris, ruaj kujtime disi kontradiktore. Mbaj mend kur kalova oborrin dhe i rashë ziles. Një grua e vogël brune me vathë të gjatë në veshët e saj, si të ishte një cigane, më hapi portën me një buzëqeshje të përzemërt.

Gertrude ishte një grua e bëshme, veshur me një fustan dhe me çorape leshi, si dhe sandale që e bënin më të dukshme peshën e saj. Kisha me vete aparatin fotografik meqë kishim rënë dakort ta fotografoja. Ajo më prezantoi mikeshën e saj Alice Toklas që në fillim, me atë robë të zezë me dantellë të bardhë, e mora për një shërbyese. Kështu vendosa aparatin të fotografoja. Stein ishte një grua në moshë të pjekur dhe disi e ashpër. Sipas saj askush nuk kishte më shumë vlerë se sa miqtë e saj Pikaso, Brak dhe Matis.

Ajo i qortonte gjithashtu shkrimtarët që imitonin Heminguein, Xhojs, dadaistët apo surealistët. Dhe si pionere e gjithçkaje ajo konsideronte vetveten. Atë e trishtonte fakti që të tjerët bëheshin të njohur në botë para saj. Në rrethin e vet, ishte gjithnjë ajo që e drejtonte bisedën. Kur dikush e merrte fjalën, ajo ndërhynte që ta drejtonte vetë. Një çast, kur po fliste me dy miq, ajo dëgjoi në anën tjetër të sallonit që Alice bisedonte me një mike tjetër. Papritur Gertrude ndaloi dhe me një ton agresiv i qortoi që të ulnin zërin. Ngado ra një qetesi varri…»

Stein, Pikaso dhe Matis

Matis dhe Pikaso ishin dy nga admiruesit e parë të Gertrude Stein. Ndërsa Pikaso do të pikturonte portretin e Gertrudës, Matis do të pikturonte portretet e vëllait të saj Michael dhe gruas së tij,Sarah, të cilët banonin atë kohë në “Rue Madame”. Kishte një lloj xhelozie midis dy piktorëve të shquar, pasi në sallonet e tyre, tablotë e dy piktorëve zinin një vend nderi.

I imagjinoj tani të dy ata gjeni të pikturës, kur njëri pas tjetrit, rreth orës 21.00 e darkës, tek i bien ziles së asaj shtëpie, duke kaluar oborrin dhe duke përshëndetur pastaj me dashuri zonjushen Stein. Duke hyrë në salon, disi fshehurazi, ata hidhnin sytë në sallon për të parë nëse veprat e tyre kishin lëvizur nga vendi ku ishin varur apo jo, pasi blerjet e tablove tek tein ishin të sxhpeshta dhe arti Ifigurativ ishte në një lloj apoteoze. Aty vinin ti shijonin artisët e letrarët e mëdhenj, Apoliner, Brak, dadaistët e surrealistët, shkrimtarët amerikanë si Heminguei, Fitzgerald, Anderson, Xhois…

E megjithatë mbrëmjet ishin interesante, pasi Stein dinte ç’fliste. Ajo ishte gjithnjë frymëzuese në idetë e saj moderniste. Ishte ajo që i frymëzonte dhe i mbështeste rrymat e reja avanguardiste. Më shpejtë se të tjerët ajo e kuptonte prirjen moderniste. Kush vallë e pëlqeu në fillim «Zonjushat e Avignon» të Pikasos përveç saj? Askush tjetër… Në sallonin e Stein ishte «Gruaja me kapele» e Matis si dhe «Vajza me një shportë me lule» dhe «Djaloshi që çon kuajt» të Pikasos, dy tablo madhore.

Në disa fotografi të viteve ’20-’30 të shekullit XX duket Stein që ka pozuar në sallonin e saj pranë tablosë së Pikasos me portretin e saj. Një portret i vështirë, për të cilën asaj i duhej të shkonte me Omnibus nga Odeoni deri në Montmartre, në atelierin e piktorit në Rue Ravaignan: 90 seanca ku ajo pozoi para piktorit që e vlerësonte aq shumë për penelin dinamik dhe origjinalitetin e tij.

Por të kapje portretin e Stein ishte e vështirë. Madje, disa miq të Pikasos, që shkonin atëherë në ato atelierë dërrasash (ku dhe jetonin, mes tyre dhe Modiliani), kur kishin parë portretin e Stein ata i kishin thënë mos ta ngiste më, se ashtu ishte mjaft bukur. Por Pikaso ishte i pakënaqur dhe vuajti shumë me të. Portreti prishej dhe rifillonte përsëri. Ai e vinte gjithnjë në atë kolltuk gati të thyer dhe ai niste të pikturonte. Shumë herë seanca kalonte veçse me biseda për artin, pasi ishte kënaqësi të dëgjoje Stein kur fliste për artin dhe botën. Mes tyre ka patur një korrespondencë të gjatë. 250 letra tregojnë jo pak për miqësinë e tyre.

Në një nga letrat, më 9 dhjetor 1915, Pikaso i shkruante: «Mos u çudit që s’të kam shkruar që ditën kur ikët. Jeta ime këtu është një ferr i vërtetë. Eva është gjithnjë e sëmurë. Pothuajse nuk punoj në atelier, pasi rend sa në një spital në tjetrin. Megjithatë e punova një tablo, një «arlekin», që sipas meje dhe miqve që ma panë është puna më e mirë që kam bërë. E bleu zoti Rosenberg. Do ta shkoni kur të ktheheni në Paris…”

Kohë më vonë, një ditë, Pikaso ishte futur në një dyqan antikuaresh dhe ja tek kishte parë një seri maskash afrikane që e kishin befasuar me origjinalitein e formës. Në kthim, në atelier, ai e prishi portretin e Stein dhe e rikrijoi, kësaj rradhe në frymën e maskave, formë që do ta thellonte me tablonë mitike “Zonjushat e Avignon-it” apo më pas me “Tri gratë”, e cila do gjendej më pas në sallonin e Stein dhe që do të lajmëronin “revolucionin kubist”. Në sallonet e familjes Stein kishte një numër të madh tablosh të Pikasos, si dhe mjaft vizatime, etude për “Zonjushat e Avignon-it” apo shumë “nature mort” e peizazhe që rrallë janë parë nga publiku

Stein midis Hemingueit dhe Fitzgerald

«Zonjusha Stein ishte një grua e fortë, jo shumë e madhe dhe me një shtat fshatareje, – kishte shkruar Heminguei në librin e tij “Parisi, një festë e pambarrimtë”. – Kishte sy të bukur dhe fytyrë të ahspër, si të një hebreje gjermane, madje, nga mënyra si vishej, me fytyrën aq ekspresive, me flokët e saj të dendura e të bukura të një emigranteje, të cilat ajo i ngrinte me një kapse, (mesa dukej që kur kishte qenë në universitet), më ngjante me ato fshataret e Italisë së veriut. Fliste papushim për njerëzit dhe vendet. Shoqja e saj me të cilën ajo jetonte, kishte një zë të këndshëm, ishte me shtat të vogël dhe flokë si të një Zhan d’Ark dhe ishte shumë brune.

Ne e donim zonjën Stein dhe miken e saj edhe pse ajo kishte një pamje të tmerrshme…» Heminguei kujtonte në librin e tij dhe tablotë që mbushnin muret e sallonit të saj apo artistët e shumtë që vinin aty, duke shtuar dhe Brak, Gris, Vallonton, etj. Një ditë, siç pohon Heminguei «Zonja Stein bënte edukimin tim mbi jetën seksuale, pasi është e vërtetë që unë atëherë kisha disa paragjykime për homoseksualitetin… Ne bisedonim, por nuk isha dakort aspak me të. Megjithatë secili kishte mendimet e tij.

Sidoqoftë unë nuk i kundërshtoja më të mëdhenjtë në moshë. Parapëlqeja të dëgjoja dhe Gertrude kishte një cilësi mjaft inteligjente për të treguar gjëra interesante. Ajo më tha se shpejt a vonë duhej ta braktisja gazetarinë. Më tha se nuk isha një shkrimtar aq i mirë për tu botuar në revistën «Atlantic Monthly» dhe në «Saturday Evening Post», por mund të bëhesha një shkrimtar i një lloji të ri… Ne atëherë jetonim në Rue Notre-Dame-des-Champs dhe me Stein ishim ende miq të mirë, kur pikërisht ajo më foli për gjeneratën e brezit të humbur.

Atë ditë ajo kishte problem me dritat e makinës së saj të vjetër, një «Ford T» dhe djaloshi që punonte në garazh po merrej me një makinë tjetër, duke e lënë makinën e saj për më vonë. Sidoqoftë nuk ishte treguar serioz dhe patroni e qortoi rëndë duke i thënë djaloshit: «Ju të gjithë jeni një gjeneratë e humbur»… Ja, dhe ju, – mu drejtua Stein, – edhe ju jeni që të gjithë kështu… ju të rinjtë që bëtë luftën, të gjithë jeni një gjeneratë e humbur! – Vërtet? – i thashë. – Po, vërtet! – këmbënguli ajo! – Ju veçse dini të pini alkool!…»

Me zonjushën Stein u bëmë miq të afërt. Nga ana ime unë ndërhyra më vonë që vepra e saj të mund të botohej pjesë-pjesë në revistën e Ford dhe e ndihmova që të daktilografoja dorëshkrimin e saj. Meqë një periudhë kisha kohë që nuk kisha shkuar tek ajo, Stein më tha: «Heminguei, po ti je zot shtëpie këtu! Ejani kur të doni dhe shërbyesja do të përkujdeset për ju!…»

Një ditë, Heminguei e njoftoi Fitzgeraldin që atë mbrëmje të shkonin tek salloni i Stein. Dhe ata shkuan sëbashku. Ishte data 25 shtator 1926. Fitzgerald ishte i shqetësuar dhe Stein e kishte pyetur se çfarë kishte: “A e dini që sot jam 30 vjeç?! – kishte thënë Fitzgerald. – Kjo është dramatike. Çdo të bëhet me mua? – Mos u shqetëso!… – i kishte thënë Stein dhe ajo e këshilloi që të kthehej në shtëpi dhe të vazhdonte shkrimin e romanit. Ajo i kishte pëlqyer shumë dy romanet e tij “E kundërta e parajsës” dhe “Gatsby i mrekullueshëm”.

Piktori Abedin Dino dhe një opera e Stein

Pothuaj gjithë elita amerikane kur vinte në Paris, do të takohej dhe me Stein, edhe pse ajo ishte një tip i vështirë, edhe pse një njeri me një kulturë të shumanëshme, çka e tregoi në botimet e saj veçanërisht “A making american’s” apo “Fabrikimi i amerikanëve”, ku shkruan për shumë personalitete të jetës amerikane. Një nga shqiptarët që e ka njohur nga afër zonjushën Stein ka qenë piktori Abedin Dino, në kohën kur në fund të viteve ’30 ai erdhi në Paris dhe frekuentoi rrethet artistike parisiane, mes të cilëve dhe Picasso e Matisse.

Atë kohë Stein po punonte për të venë në skenë një opera dhe meqë u njoh me piktorin Dino i kërkoi atij që ti bënte dekoret e skenës, dhe Abedini i krijoi, disa prej të cilave, Dino mi ka treguar në atelierin e tij para se të vdiste. Por përfundimisht kjo opera nuk do të vihej në skenë. Ai tregonte se e kishte njohur Stein në kafenenë e saj të preferuar “La Coupole”, ku rrinte zakonisht.

“Ne punuam së bashku me Stein, e cila në atë kohë banonte në 5, Rue Christine. Punuam për operan që kishte ndërmend të vinte në skenë, ‘Doktor Faustus lights the lights’, muzika e së cilës do të kompozohej nga lordi Berners, një mik i afërt i saj dhe i koreografëve rusë, Diagilev dhe Balanchine…” Takimi me Stein, me këtë grua të famshme amerikane e kozmopolite, do të linte gjurmë në jetën e Abedinit.

Gertrud Stein, e bëri Francën si një atdhe të dytë, ku dhe vdiq në vitin 1946. Ajo u varros në “Père Lachaise”. Dhe Franca e nderoi atë pasi jo vetëm që ishte një intelektuale që la gjurmë në jetën artistike parisiane, por dhe pse gjatë Luftës së Parë Botërore, bashkë me të dashurën e saj Toklas, ato punuan si infermiere në spitalet franceze në ndihmë të të plagosurve.

Sot, ajo shtëpi në “Rue Fleurus” është e heshtur. Eshtë e habitshme të mendosh se atje, në sallonet e asaj shtëpie të thjeshtë, ishin disa nga kryeveprat botërore, thjesht për kënaqësinë e atyre që e donin artin. Ç’mrekulli!…

20 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)