Aktualitet Kërcënimi i Emiljano Nuhut, Prokuroria: Po hetojmë! Kemi mbledhur prova

Kërcënimi i Emiljano Nuhut, Prokuroria: Po hetojmë! Kemi mbledhur prova

419
SHPËRNDAJE

Nënkomisari Emiljano Nuhu, i cili bëri publik rastin e dhunimit të Xhisiela Malokut nga Rexhep Rrahja, djali i deputetit të PS, Rrahman Rrahja, denoncoi gjithashtu kërcënimin me jetë të tij në ambientet e komisariatit të Fushë-Krujës.

Ndër të tjera, Nuhu akuzoi Prokurorinë se nuk mori për bazë kërcënimet ndaj tij dhe letrën që ai i dërgoi organit të akuzës ku e lajmëronte për situatën ku ndodhej.

Lidhur me akuzat e nënkomisarit ka reaguar edhe Prokuroria e Përgjithshme, duke pohuar se e ka marrë letrën e Nuhut.

“Prokuroria e Përgjithshme sqaron se pranë saj, është dërguar për dijeni, letra e nënkomisarit të policisë Emiljano Nuhu. Pavarësisht se shkresa e nënkomisarit Nuhu është e dërguar për dijeni, Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar materialin Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të kryer verifikimet e nevojshme mbi pretendimet e kërkuesit Emiljano Nuhu, për kërcënimet dhe frikën për jetën”, sqaron Prokuroria.

Më tej nënvizohet se, “sipas parashikimeve të ligjit nr.10173, datë 22.10.2009 “Për Mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë” është kërkuar të vlerësohet situata e paraqitur nga kërkuesi Emiljano Nuhu”.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë ka informuar se pranë kësaj prokurorie është regjistruar procedimi penal Nr.7103 për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal. Ky procedim është regjistruar mbi bazën e referimit të Komisariatit të Policisë nr. 6 mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Emiljano Nuhu. Në kallëzim, sikurse në shkresën e dërguar për dijeni Prokurorisë së Përgjithshme, kallëzuesi pretendon se është kanosur për shkak të detyrës nga ana e shtetasve Rrahman Rraja dhe Rexhep Rraja”, bën me dije organi i akuzës.

Në vijim gjithashtu sqarohet se “në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal janë administruar të dhëna shkresore, janë këqyrur pamje filmike si dhe janë pyetur persona që kanë dijeni për ngjarjen”.

Prokuroria e Përgjithshme njofton se po vijon me intensitet hetimi për kërcënimin e nënkomisarit dhe qëllimi është “zbardhja e rrethanave të ngjarjes, evidentimi i faktit penal dhe personave të dyshuar si të përfshirë”.

3 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)