E diela ka nisur me dy aksidente dhe katër persona të plagosur në Librazhd.
Mësohet se në aksin Librazhd-Prrenjas, në vendin e quajtur “Përrenjas Fshat”, janë përplasur dy makina, njëra prej te cilave është përmbysur.
Në ketë aksident kanë mbetur të plagosur katër arbitra futbolli, të cilëtb udhëtonin me një prej mjeteve. Ata kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Arbitrat e plagosur janë: Amarildo Gjeci, Ergin Morina, Xhuljan Rroshi dhe Daniel Vrapi.
Ata po udhëtonin drejt Maliqit për të drejtuar në takimin e Kategorisë së Dytë mes Maliqit dhe Termit. Ndeshja e parashikuar për të filluar në orën 14:00, do të shtyhet me 30 minuta për shkak të kësaj ngjarjeje.
Aksidenti i dytë ka ndodhur në kthesën e Pishkashit. Aty janë përplasur një furgon dhe një veturë, por fatmirësisht nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale.
“Mjeti tip “Ford” me drejtues shtetasin me iniciale I. I., 22 vjeç, banues në Shkodër, është përplasur me mjetin tip “Benz”,me drejtues shtetasin me iniciale B.Ç., 59 vjeç banues në Librazhd, në fshatin Pishkash”, njofton policia.
Policia dhe ambulanca ndodhen në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidenteve.
7 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)