Ekonomi Bastet / 9.000 të papunë, por goditet pastrimi i parave

Bastet / 9.000 të papunë, por goditet pastrimi i parave

353
SHPËRNDAJE

Kryeministri përsëriti vendimin e qeverisë për të shpallur të jashtëligjshme bastet sportive, duke iu bërë thirrje sërish medieve të heqin reklamat e lojërave të fat.

“Bastet e kazinotë elektronike do të dalin jashtë ligjit më 31 dhjetor. Ama çdo reklamim i tyre, në çdolloj media, është i jashtëligjshëm. Portalet që kanë ende reklama të tilla t’i heqin vet, se ndërkohë po punohet për mbylljen e tyre! Mos kemi llafe për lirinë e shtypit pastaj”, shkroi Rama në “Twitter”.

Edhe pse projektligji i miratuar të martën nga qeveria nuk është bërë publik, ashtu si vendimet e tjera, burime zyrtare thonë se drafti parashikon mbylljen totale të basteve sportive nga data 1 janar e vitit të ardhshëm, si dhe shpërnguljen e kazinove elektronike jashtë qendrave të banuara.

Por, cilat janë pasojat e këtij vendimi?

Sipas deklarimeve zyrtare në Tatime, vitin e kaluar industria e kumarit qarkulloi rreth 130 milionë euro, ku pjesën e “luanit” e kanë kazinotë. Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar shqiptarët luajtën 81 milionë euro në kazino dhe 45.5 milionë euro të tjera në baste sportive.

Vendimi i qeverisë pritet t’i reduktojë ndjeshëm të dy këto aktivitete, por veçanërisht bastet, të cilat nga 1 janari do të lejohen vetëm “online”. Në rrafshin ekonomik, kufizimi i kumarit ka dy pasoja kryesore.

E para është rënia e të ardhurave në buxhet. Aktualisht, qeveria mbledh rreth 40 milionë euro në vit nga taksat e bixhozit. Pas 1 janarit, kjo shumë me gjasa do të jetë më e vogël, gjithsesi për buxhetin ky është një efekt i papërfillshëm.

Pasoja e dytë është punësimi. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në Shqipëri ka rreth 4.500 pika bastesh, të cilat sipas Kodit të Punës duhet të punësojnë minimalisht nga dy vetë. Pra, në total janë minimalisht 9.000 të punësuar, të cilët nga 1 janari do të dalin të papunë. Por, të dy këto efekte, si rënia e taksave, ashtu dhe punësimi, duken të papërfillshme përballë pasojave të rënda sociale që vijnë nga bixhozi dhe risqeve që ka kjo industri për pastrim parash dhe fuqizim të krimit.

Vendimi për mbylljen e basteve është mirëpritur edhe nga publiku. Në një sondazh të Top Channel, 94 për qind e qytetarëve e kanë mbështetur nismën e qeverisë.

10 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)