Sociale Masakrohet pylli në Durrës, policia shoqëron makinat me dru

Masakrohet pylli në Durrës, policia shoqëron makinat me dru

164
SHPËRNDAJE

Fiks Fare i rikthehet masakrës në pyjet shqiptare, ku në fshatin Shkafane në Ishëm të Durrësit, vetëm pak kilometra larg nga Tirana dhe Durrësi, kurora e vetme që ka ngelur e gjelbër po pritet përditë. Banorë të zonës u ankuan se po priten pemë të mëdha me lis, shkozë dhe pishë. Deri më tani, përpos denoncimeve në Policinë e Manzës dhe atë Pyjore, masakra nuk është ndalur.

Një banore, e cila donte të ruante anonimatin tha për Fiks Fare se banorë të zonës, por edhe persona të tjerë, shkojnë në mal me gomarë, mushka, kuaj e madje zetorë dhe presin pyllin. “Deri më tani kemi denoncuar dhjetëra herë, por prerja vijon. Dua të denoncoj edhe një fakt, pasi individët që presin janë mbrojtur nga Policia e Shtetit. Në Manzë ka një postë policie dhe bëhen disa patrullime. Por, në disa pamje filmike, duket qartë se në zonë kalojnë zetorë të mbushur me lëndë drusore” thotë ajo.

Fiksi siguroi edhe pamjet filmike të disa bizneseve në atë zonë, ku janë të regjistruara pamjet e datës 27 shtator 2018, ku në orën 18.30 kalon një zetor i mbushur plot me lëndë drusore në rrugën nacionale në Manzë. Tre minuta më pas, në të njëjtin vend kalon edhe një patrullë policie. Banorët pohojnë se, në asnjë rast, policia nuk ka ndaluar këto mjete, por vetëm sa i shoqëron.

Pas denoncimit, gazetarët e Fiksit shkuan në një ekonomi pyjore, ku në pak metra katrorë, janë prerë disa pemë të mëdha me lis dhe shkozë. Në pamje duket qartë se bëhet fjalë për pemë të mëdha dhe jo të vogla, ndërsa prerjet janë të reja, të ditëve të fundit. Në zonë janë dhe disa trungje të vegjël, të bërë gati.

Gazetarët nisen në një tjetër zonë të pyllëzuar, ku rrugës takojnë edhe tre individë, dy gra dhe një burrë, të cilët i kanë mbushur gomerët me dru në mal. Gratë thonë se kanë prerë vetëm më sëpatë dhe ata që presin me motosharrë janë shumë larg. Sipas saj, ata presin në mëngjes herët.

Fiksi shkoi edhe në Policinë Pyjore në Durrës, ku shefi Artan Greva, thotë se situata në atë zonë është problematike madje janë gjobitur disa individë për prerje pylli. Ai tregon se pylli kontrollohet nga bashkia, e cila duhet të vendosë edhe roje. Nëse konstatohet se ka prerje nga banorët, gjobiten banorët. Ai vijon se, nëse nuk kapen banorët dhe konstatohet se ka prerje, atëherë mbajnë përgjegjësi rojet.

Greva pohon se ka një dokument dhe ia ka çuar edhe drejtorit për autorizim. Sipas tij, autorizimi për kontroll jepet nga titullari. Nëse nuk gjendet titullari, nuk mund të ndërhyjnë. Por, në një bisedë tjetër, ai thotë se drejtori i mëparshëm i pyjores nuk i ka firmosur disa autorizime për marrjen e masave ndaj atyre qe prisnin pyllin, pasi i ka mbyllur me çështje politike, me shok apo me miq.

10 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)