Ekonomi Ahmetaj publikon pagat e futbollistëve: Paguhen më pak se ekonomistja

Ahmetaj publikon pagat e futbollistëve: Paguhen më pak se ekonomistja

210
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, gjatë një interpelance të kërkuar nga deputeti Erjon Braçe për financat e Federatës Shqiptare të Futbollit, theksoi se futbolli është shumë larg formalizimit, duke zbuluar pagat e disa prej futbollistëve të skuadrave më në zë të vendit.

“Te Skënderbeu, Kristi Vangjeli paguhet 100 000 lekë në muaj, më pak sesa ekonomistja e klubit. De Sousa merr 22 000 lekë në muaj. Nuk ka të hajë me kaq, jo që të luajë futboll. Te Tirana, trajneri Gugash Magani punonte pa lekë fare. Pastaj kemi Klodian Dervishin e Partizanit, edhe ky pa lekë. Ze Maria merr 90 000 lekë, aq sa Ilion Lika. Astrit Nallbani merr vetëm 1 lek. Pra, klubet e futbollit janë shumë larg nga formalizimi”, deklaroi Ahmetaj.

Më tej, ministri shtoi se “futbolli ka nevojë për formalizim”.

“Është emergjencë, FSHF-ja po avancon në këtë drejtim krahasuar me vitin 2014, por jemi ende larg formalizimit. Është e dukshme që sporti ka nevojë për mbështetjen e qeverisë dhe formalizim. Vetëm me formalizim i kthehet dinjiteti atyre lojtarëve që i trajtuam si heronj në Evropian”, tha Ahmetaj.

11 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)