Aktualitet Arrestohet në Kosovë “Babalja”

Arrestohet në Kosovë “Babalja”

478
SHPËRNDAJE

Protagonisti kryesor i çështjes së audio dhe video përgjimeve ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është arrestuar në Kosovë.

Alfred Veliu, i njohur ndryshe si “Babalja”, ishte shpallur në kërkim nga policia shqiptare për dëshmi të rreme dhe sot ndodhet në gjendje arresti.

Babalja u bë i njohur pas publikimit të audio-përgjimit, mes tij dhe një personi që pretendohej të ishte Agron (Geron) Xhafaj.

Babalja është arrestuar në qendrën e Azilit në Prishtinë për llogari të autoriteteve shqiptare. Sipas organit të akuzës, nuk është e vërtetë që “Babalja” ka folur me vëllain e Agron Xhafajt.

Hetimet nxorrën në pah se Albert Veliu i ka thënë kunatit të tij, Fredi Alizotit që të bëjë zërin e Agron Xhafës.

Babalja ndodhej në një qendër azilantësh në Kosovë së bashku me të birin, ku kishte udhëtuar disa muaj më parë për t’u larguar nga vendi, fill pas publikimit të një përgjimi me vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për të cilën prokuroria ngre dyshime se është e rreme ku një person i njohur nga “Babalja” ka kryer imitimin e zërit.

Babalja në Kosove ishte në pritje të përgjigjes për azil, pas kërkesës së bërë me herët. Tashmë do të jetë gjykata vendore në Prishtinë, ajo që do të vendosë për ekstradimin apo jot të “Babales”.

Ndërkohë që burimet zyrtare saktësojnë se “Babalja” është dërguar në qelitë e paraburgimit të policisë së Prishtinës dhe do të mbahet aty deri në dhënien e vendimet nga drejtësia kosovare. Në Kosovë, “Babalja” deklaroi se në Shqipëri i rrezikohej jeta pasi kishte denoncuar një trafik droge.

Një ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të rënda njoftoi për hetimet që kishte kryer në lidhje me çështjen e audio-përgjimit, ku rezultonte se “Babalja” e kishte sajuar atë në këmbim të 200 mijë eurove të ofruara nga deputeti demokrat, Ervin Salianji.

Politika shqiptare, prej muajsh “zien” nga akuzat dhe deklaratat e ashpra për këtë ngjarje, që dita-ditës po merr drejtime të ndryshme.

11 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)