Politikë “Babalja”, PD: Zëri është i ngjashëm me atë të Agron Xhafajt

“Babalja”, PD: Zëri është i ngjashëm me atë të Agron Xhafajt

66
SHPËRNDAJE

Në një konferencë të posaçme për mediat, deputeti demokrat Enkeljed Alibeaj dhe përfaqësuesi ligjor demokrat Gazment Bardhi deklaruan se është fakt se Agron Xhafaj nuk u hetua kurrë por u lejua që të iki natën në Itali, pasi u provua se ai drejtonte trafikun e drogës në Vlorë.

Alibeaj tha se është fakt se Fatmir Xhafaj falsifikoi ligjin për të mbrojtur familjarin e tij dhe se është fakt se Edi Rama ka instaluar shtet privat mafioz siç tha vetë se ka ngritur një strukturë të posaçme me synim “fabrikimin e provave në mbrojtje të Agron Xhafaj dhe Fatmir Xhafaj”.

Sipas tij hetimet janë drejtuar nga Edi Rama dhe se Prokuroria ka luajtur rolin e noterit. Nga ana e tij Bardhi tha se për të provuar alibinë e Ramës se zëri nuk ishte i Agron Xhafaj, fabrikuan një aktor.

“Shqiptarët panë se aktori jo vetëm nuk ishte blerë e paguar, por se ishte shantazhuar nga vetë drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, pasi kishte takuar Taulant Ballën. Aktori është jo vetëm prodhim amator i Edi Ramës, por akt mafioz. Aktori i Edi Ramës pohon në përgjim se është dërguar natën tek një prokuror rreth të 40-ve me origjinë nga Kruja, Gentian Osmanaj. Është shoqëruar me makinë në 1 qershor 2018, nga drejtori i policisë”, u shpreh Bardhi.

Në vijim tha se aktori i Ramës pohon se është shoqëruar me makinë nga Veliu në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në 20.00 në darkë dhe se ora e deklarimit sipas aktit të Prokurorisë është 20.05 minuta.

Ai deklaroi se provat e pakundërshtueshme janë vetëm tre, akti e ekspertizës në laboratorin britanik, tabulatet e personave të përfshirë në këtë çështje dhe qelizat telefonike të Albert Veliu, Agron Xhafaj dhe Fredi Alizoti.

Bardhi tha se prokurorët i kanë kërkuar Fatmir Xhafës që të hetojë Agron Xhafaj dhe se hetimin mbi këtë fakt nuk e ka bërë Prokuroria por Policia e Shtetit, dhe se ka hetuar vetë Fatmir Xhafaj përmes oficerëve të tij.

“Edhe mostrat e zërit të Agron Xhafaj, i ka marrë vetë Fatmir Xhafa. Ekspertiza britanike pohon se zëri është i ngjashëm me atë të Agron Xhafaj. Në 27 maj 2018 ku Fredi Alizoti deklaron se ka marrë një ofertë nga pala tjetër, pse nuk e heton prokuroria. Pse nuk heton kush është pala tjetër dhe çfarë oferte ka marrë Alizoti”, pyeti Bardhi.

Kjo deklaratë e sotme vjen pas trazimit të politikës, pas publikimit të një video nga deputeti demokrat Ervin Salianji, ku në të shfaqej një person i quajtur Alfred Alizoti, i cili deklaron se është takuar me Taulant Ballën dhe se është shoqëruar në Prokurori, nga kreu i policisë Ardi Veliu.

Në video sugjerohet se Alfred Alizoti, është kërcënuar nga drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Në audion dhe pamjet e transmetuara, Alizoti thotë se nuk e di se po regjistrohet dhe deklaron se është marrë në makinë nga Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe është dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në mënyrë që të pranojë versionin që i shkon për shtat mazhorancës.

Alfred Alizoti rrëfen se si po i bëhej presion që të pranonte se ishte ai që kishte folur si Agron Xhafaj në bisedën me Babalen. Alizoti, cilësohet nga Prokuroria si personi që interpretoi zërin e Agron Xhafajt dhe i etiketuar nga Kryeministri Edi Rama si “aktori”.

Kjo video vjen pas audio-përgjimit të parë, ku Albert Veliu “Babalja”, pretendonte se fliste me vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj për trafik droge.

11 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)