Sport Malta shumë e dobët, Kosova fiton dhe kryeson grupin

Malta shumë e dobët, Kosova fiton dhe kryeson grupin

210
SHPËRNDAJE

Nën një atmosferë fantastike në shkallët e stadiumit “Fadil Vokrri” të Prishtinës, Kosova dominoi totalisht sfidën me Maltën dhe arriti të triumfojë me rezultatin 3-1 dhe të marrë një tjetër 3-pikësh, që e konfirmon në krye të grupit 3, të Kategorisë D në Ligën e Kombeve.

Skuadra e drejtuar nga Bernard Challandes kontrolloi mirë sfidën që në fillim dhe kërkoi me ngulm golin, duke i shkuar pranë në disa raste, por herë për meritë të portierit dhe herë për shkak të fatit, sfidën e zhbllokoi vetëm në minutën e 30’, kur Benjamin Kololli dërgoi topin në rrjetë, pas një asisti të Valon Berishës.

Agius riktheu baraspeshën për Maltën në fillim të pjesës së dytë, duke befasuar jo pak të pranishmit në shkallët e stadiumit, por njëkohësisht duke “ndezur” vrullin e “Dardanëve”, për të gjetur sërish golin e avantazhit.

Pas një rrëmuje në zonë, Vedat Muriqit i del topi me fat dhe pas një rrotullimi prej sulmuesi race, arriti të godasë mjaft mirë, duke mposhtur për herë të dytë portierin maltez dhe duke rikthyer qetësinë në kampin kosovar, që e pa veten sërish në avantazh.

Vetëm dy minuta më vonë, kapiteni veteran i Maltës, Mifsud u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë të tijtë me 10 lojtarë, ndërsa në minutën e 81-të ishte sërish Benjamin Kololli, që shënoi golin e dytë personal, dhe të tretin e të qetësisë për Kosovën.

Pas kësaj fitoreje, Kosova mbetet në vendin e parë të grupit, tashmë me 7 pikë, dy më tepër se Azerbajxhani ndjekës, që sot fitoi gjithashtu me rezultatin e thellë 3-0 në ndeshjen ndaj Ishujve Faroe.

11 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)