Sociale Greqi, kapen speca me pesticide nga Shqipëria në Pire

Greqi, kapen speca me pesticide nga Shqipëria në Pire

167
SHPËRNDAJE

Agjencia për kontrollin cilësor, higjienik dhe të kimikateve në fruta-perimet e Pireut ka zbuluar 708 kg speca nga Shqipëria, që ishin të papërshtatshme për konsum.

Kontrolli i organeve greke ka treguar se, specat nga Shqipëria kishin mbetje të pesticideve në një nivel shumë më të lartë sesa ai i lejuar.

Ashtu siç parashikon rregullorja, ngarkesa është konfiskuar dhe më pas është shkatërruar me metodat përkatëse.

Sipas një deklarate të Unionit Rajonal të Pireut, inspektimet dhe marrja e mostrave të ushqimeve do të vazhdojnë me intensitet në çdo periudhë kohore, në të gjithë zinxhirin ushqimor dhe në të gjitha pikat e shitjes, në mënyrë që t’u jepen konsumatorëve produkte ushqimore të sigurta dhe cilësore.

Kjo është hera e dytë brenda dy javëve, që Agjencia për kontrollin cilësor, higjienik dhe të kimikateve në fruta-perimet e Pireut, konstaton dhe konfiskon ngarkesa me perime me pesticide tej nivelit të lejuar, të ardhura nga Shqipëria.

Në fund të shtatorit, kjo agjenci ka kapur dy ngarkesa domatesh të ardhura nga Shqipëria dhe Italia, me nivel të dëmshëm pesticidesh, që janë tërhequr nga tregu menjëherë dhe janë shkatërruar për të mos rrezikuar shëndetin e konsumatorëve.

12 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)