Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta tha të premten në mbrëmje se ende nuk ka marrë një vendim për të dekretuar ministrin e ri të Brendshëm Sandër Lleshi, të propozuar nga kryeministri Edi Rama.


Kushtetuta e vendit i lë Presidentit 7 ditë kohë afat për emërimin e një ministri. Ky afat skadoi mesnatën e së premtes.  Kushtetuta në asnjë rresht të saj nuk parashikon shprehimisht, raste të mos dekretimit të një propozimi për emërimin e anëtarëve të kabinetit qeveritar. Vitin e shkuar, ish-presidenti Bujar Nishani, i cili u shfaq publikisht kundër propozimit për emërimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, pranoi megjithatë se nuk kishte kompetenca për ta refuzuar atë.


Me një lëvizje surprizë, kryeministri Edi Rama ka njoftuar nëpërmjet Tëiterit dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe emërimin e zëvendësuesit të tij, gjeneral Sandër Lleshi me 27 tetor 2018.


Tepër befasuese është “braktisja” e misionit nga Xhafaj, por më shumë është emri i zgjedhur nga Rama për të drejtuar dikasterin më të rëndësishëm të qeverisë, që është goditur në dy mandate nga skandalet e narko-trafikut dhe lidhjet e ministrave me bandat e drogës.


Lleshi ka një karrierë të gjatë si ushtarak dhe prej 2013-ës ka qenë i përzgjedhuri i kryeministrit si këshilltar për çështjet e Mbrojtjes. Asokohe kur e prezantonte, Rama tha se emrin e Lleshit e kishte dëgjuar nga shkrimtari i madh Ismail Kadare.


3 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)