Opinion BULLGARI & CO: TREGTIA KORRUPTIVE ME NËNSHTETËSITË EUROPIANE

BULLGARI & CO: TREGTIA KORRUPTIVE ME NËNSHTETËSITË EUROPIANE

512
SHPËRNDAJE

Në Bullgari sapo është zbuluar një tregti mashtruese me nënshtetësitë. Ky nuk është i vetmi rast në BE. Shtete të ndryshme bëjnë tregti me pasaportat, edhe zyrtarisht.

Nënshtetësia europiane ose leja e qëndrimit e dhënë për një vend të BE-së, janë dokumentat zyrtare më të vështira për t’u marrë në botë, por janë njëkohësisht edhe shumë të dëshiruara. Kërkesat e larta kanë krijuar vitet e fundit një treg, nga i cili përfitojnë edhe zyrtarët e korruptuar në disa vende të BE-së, duke bërë fallsifikime. Por kjo nuk mjafton. Edhe zyrtarisht, vendet e BE-së nuk e lenë t’ u shpëtojë ky burim fitimprurës të ardhurash, prandaj ushtrojnë një regjim vizash të ashtuquajtur, “Viza të arta”, një tregti me vlerë miliardash me nënshtetësitë dhe lejet e qëndrimit për vendet europiane.

Rasti i fundit i zbuluar në këtë tregti vjen nga Bullgaria. Në fillim të javës së kaluar u arrestuan dy duzina zyrtarësh, të cilët për vite me radhë kanë lëshuar ilegalisht certifikata prejardhjeje bullgare për qytetarë të Maqedonisë, Moldavisë dhe Ukrainës, duke marrë si shpërblim mijëra euro.

Ai që zotëron një certifikatë të tillë prejardhjeje mund të marrë, sipas ligjit nënshtetësinë bullgare. Autoriteti përkatës në Bullgari është zyra për bullgarët që jetojnë jashtë vendit, SABA. Shefi i zyrës, i shkarkuar ditën e hënë, Petar Haralampiev, një politikan nacionalist, mendohet të jetë koka e rrjetit të korrupsionit.

Në fakt kjo gjë është e ditur prej vitesh. Që më 2012, Deutsche Welle ka raportuar për shpërdorimet në dhënien e certifikatave nga SABA. Që në vitin 2013, juristja Katja Mateva, ish-drejtoreshë e sektorit të dhënies së nënshtetësisë në Ministrinë e Drejtësisë në Bullgari, i ka dorëzuar informacionet përkatëse shefave të saj në qeveri. Në vitin 2014, ish -zëvendësministri Petko Petkov, i dërgoi një memorandum për këtë çështje kryeministrit të përkohshëm, Georgi Blisnaschki. Por asgjë nuk ndryshoi.

Mateva thotë në bisedë me Deutsche Wellen se politikanët kanë bërë presion për vite me radhë, deri sa më në fund e shkarkuan në vitin 2017. Kurse Petkovit iu desh të dëgjonte nga politikanë të tjerë që i thonë se është tradhëtar. Si Mateva ashtu edhe Petkov, thonë se deri tani ka munguar vullneti politik për t’ i dhënë fund korrupsionit në dhënien e nënshtetësisë. Fakti që tani janë arrestuar njerëzit përgjegjës ka të bëjë me luftërat për pushtet brenda qeverisë, që luhen nga njëra anë nga partnerët në koalicion, partia GERB e kryeministrit Bojko Borissov dhe partia aleate nacionaliste e djathtë, Patriotët e Bashkuar, dhe nga ana jetër brenda Patriotëve të Bashkuar vetë. Disa thonë se me arrestimet e bëra tek SABA, Borissov kërkon të vendosë nën kontroll partinë Patritotët e Bashkuar, dhe t’ i dërgojë një sinjal partnerëve të koalicionit.

Autor: Keno Verseck

Ambasada bullgare në Maqedoni