Kryesoret Protesta e studentëve, përgjigjet Rama: Ja prova e investimit në arsim (VIDEO)

Protesta e studentëve, përgjigjet Rama: Ja prova e investimit në arsim (VIDEO)

340
SHPËRNDAJE

Një valë protestash ka “pushtuar” këtë fillim dhjetori vendin dhe tubimi më kulminant ishte ai i mijëra studentëve që “rrethuan” sot Ministrinë e Arsimit për të kërkuar shfuqizimin e tarifave që rëndojnë buxhetin e tyre dhe prindërve që financojnë shkollimin.

Përballë protestës së sotme, qeveria u dorëzua duke shfuqizuar VKM-në për tarifat mbi provimet e mbetura, por ndryshe nga dje kur i etiketoi si “ngelës” studentët protestues, kryeministri Edi Rama heshti sot gjatë 6 orëve që u zhvillua tubimi me thirrje kundër Reformës Arsimore që ai ka mbështetur fuqishëm.

Shefi i qeverisë ka reaguar rreth 3 orë pasi studentët u larguan nga “Rruga e Durrësit”, duke postuar në Facebook një video 3D që sipas tij shërben si “provë” për të treguar se sa qeveria e tij ka punuar për transformimin e sistemit arsimor.

 

Meqë po diskutohen këto ditë edhe kushtet e godinave për studentët, ja prova që kjo qeveri, si asnjë tjetër më parë, ka nisur një investim masiv (18.8mln€ Faza 1) në bashkëpunim me qeverinë gjermane, për të ndryshuar rrënjësisht situatën e trashëguar të konvikteve. Ndiqeni deri në fund sepse nis si 3D po vazhdon si realitet i prekshëm i kantierit të parë të këtij projekti😉

Gepostet von Edi Rama am Donnerstag, 6. Dezember 2018

Në këtë video prezantohet një projekt mbi rikonstruksionin në godinat e “Qytetit Studenti”. Sipas Ramës, qeveria ka nisur një investim madhor (18.8mln€ Faza 1) për të ndryshuar rrënjësisht situatën e trashëguar të konvikteve.

“Meqë po diskutohen këto ditë edhe kushtet e godinave për studentët, ja prova që kjo qeveri, si asnjë tjetër më parë, ka nisur një investim masiv (18.8mln€ Faza 1) në bashkëpunim me qeverinë gjermane, për të ndryshuar rrënjësisht situatën e trashëguar të konvikteve. Ndiqeni deri në fund sepse nis si 3D po vazhdon si realitet i prekshëm i kantierit të parë të këtij projekti”, shkruan Rama në Facebook.

Ndërkohë mbetet të shihet sesi do të reagojnë studentët pas kundërpërgjigjes së kreut të ekzekutivit, pasi në mbyllje të protestës së sotme kanë theksuar se nesër do të grumbullohen para Kryeministrisë.

6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)